Arbëri

Jashari: Nuk e kisha për qëllim ta vrisja Vllasin, por vetëm ta plagosja

“Mund ta vrisja, por nuk e kisha për qëllim ta vrisja, por vetëm ta plagosja Azem Vllasin”. Kështu ka deklaruar i akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë, Murat Jashari, në fjalën përfundimtare të hënën para trupit gjykues.

Ndonëse mjekët e Institutit të Psikiatrisë Forenzike thanë se Jashari është në gjendje të kuptojë procedurën që po zhvillohet ndaj tij, por deklarimi i tij nuk duhet të merret si relevant, megjithatë gjykata i ka dhënë mundësinë që edhe ai të deklarohej.

“Nuk e kuptoj pse me më akuzu për tentim vrasje, sepse unë kam pasur mundësi me vra, por qëllimi ka qenë me e plagos që të ketë dhimbje tërë jetën ashtu siç kanë pasur ish të burgosurit politikë të viteve ’80, psikike dhe fizike”, ka thënë Jashari.

Në fjalën përfundimtare avokatja e të akuzuarit, Fehmie Gashi-Bytyçi, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk ka arritur t’ia sqarojë as gjykatës e as opinionit se kush qëndronte prapa klientit të saj dhe kush kishte manipuluar me të.

“Prokuroria i mbetet borxh opinionit, sepse edhe në fjalën përfundimtare u përmendën dëshmitarët anonimë 2 dhe 3, por e kishte anashkaluar personin kyç dëshmitarin e shpallur A1 anonim dhe i cili kishte thënë se Murati ishte manipuluar dhe motivuar, dhe mbështetur nga një person me emër e mbiemër, i cili mund të ketë peshë të madhe për proceset në Kosovë. Personi i cili qëndron prapa Muratit është person, i cili përkrah dëshmitarët në Dhomat e Specializuara në Hagë”, është shprehur avokatja e Muratit, Gashi-Bytyçi.

Për prokurorin special dhe palën e dëmtuar provat dhe dëshmitë e ofruara deri më tani në këtë proces vërtetojnë dhe faktojnë veprimet e të akuzuarit.

“Këtu përmbushet elementi i veprës penale vrasje e rëndë, ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi e kontroll të paautorizuar të armës. Duke u bazuar në rekomandimin e Apelit kemi qenë të detyruar të veprojmë propozimi është përmirësuar si në aspektin procedural edhe material”, ka deklaruar Burim Qerkini, prokuror Special.

Avokati i Vllasit, Nasuf Hasani, është pajtuar me prokurorin dhe ka shtuar se Murati për motive të ulëta ka dashur të vrasë Vllasin.

“Pothuajse gjendja faktike është e njëjtë siç e elaboroi edhe prokurori nga provat rezulton pa asnjë mëdyshje se i pandehuri për motive të ulëta ka dashur ta privojë nga jeta Azem Vllasin”, ka thënë Hasani.

Avokatja e të akuzuarit, gjithashtu, ka ngritur shqetësimin lidhur me gjendjen e rëndë shëndetësore të Murat Jasharit, derisa ka kërkuar që ai të transferohet në Zvicër për trajtim dhe afër familjes së tij.

Të martën, trupi gjykues i Departamentit Special do të shpallë aktgjykimin ndaj Murat Jasharit.

Rigjykimi ndaj Jasharit u vendos pasi Gjykata Apelit në korrik të vitit të kaluar ktheu në rigjykim rastin e njohur si “Syri i Popullit” pas vendimit të shkallës së parë, e cila i dënoi të akuzuarit me 30 vjet burgim.

Sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë kreu shkelje esenciale të dispozitave procedurale në këtë çështje penale dhe nuk kishte arritur ta vërtetojë në mënyrë të plotë gjendjen faktike.

Në këtë proces penal Avni Llumnica ishte dënuar me 12 vjet burgim për shkak të dhënies së ndihmës për plagosjen e Azem Vllasit dhe sulmit seksual në qendrën e paraburgimit ndaj shokut të dhomës. I akuzuari Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burgim, Ragip Sallova me 4 vjet, Halim Halimi e Bajrush Konjusha u dënuan me nga 3 vjet burgim, ndërsa Behxhet Luzha e Rexhep Topllani u dënuan me nga 2 vjet burgim.

Ndërsa, Murat Jasharit shkalla e parë ia kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetëve.