Nisma Socialdemokrate ka qenë pjesë e legjislativit deri më tani, por nëse ia del të hyjë në parlament edhe në këto zgjedhje, kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka premtuar se do ta padisin Serbinë për gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Në ditën e tretë të fushatës, Limaj e ka përmendur Jakup Krasniqin, duke thënë se ai bashkë me shokët që janë në Hagë po i mungojnë Kosovës
Drenas, 5 shkurt - Edhe pse Nisma ka qenë pjesë e parlamentit deri më tani, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka premtuar të premten se nëse ia dalin edhe këtë herë të hyjnë në të, do ta padisin Serbinë për gjenocidin që ka bërë në Kosovë.
Në ditën e tretë të fushatës, teksa ka vizituar komunat e Drenasit, Lipjanit dhe Shtimes, Limaj ka dhënë zotimin për padi, teksa i ka vazhduar akuzat ndaj të gjitha partive të tjera politike. Ai e ka akuzuar kandidatin për kryeministër të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, se ka vënë në pikëpyetje dhunën serbe ndaj shqiptarëve në luftën e fundit.
“Nëse drejtuesi i Kosovës e vë këtë në pikëpyetje këtë, çka thonë serbët? Atë që thonë shqiptarët se kjo nuk ka ndodhë. Andaj, është me rëndësi qëndrimi politik. Andaj, ftesa ime është të mos votoni njerëzit që vënë në pikëpyetje vendin tonë. Ata që kanë dilema, duhet ende të mësojnë. Po, Serbia okupatore ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe Nisma një nga qëndrimet e para në parlament do të ketë padinë për gjenocid kundër pushtetit serb”, ka deklaruar ai.
Drenasi ka qenë qyteti i parë që ka vizituar Limaj gjatë së premtes. Atje, ai, për herë të parë që nga fillimi i fushatës, e ka përmendur themeluesin e partisë, Jakup Krasniqin. Ka thënë se Kosovës më shumë se kurrë i mungojnë ai dhe shokët e tjerë që gjenden në Gjykatën Speciale.
“Është vështirë që sot, për herë të parë në jetën tonë politike prej që jemi bashkë, mungon një njeri i madh i Drenicës dhe i Kosovës, me të cilin jemi mësuar të jemi bashkë në këto fushata. Kosovës i mungon prezenca fizike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit. Shpresojmë që edhe baci Jakup dhe të gjithë ata shokët tanë, njerëz të historisë, t’i kthehen vendit tonë faqebardhë”, ka deklaruar Limaj.
Të premten, kandidati për kryeministër i Nismës i ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë nga Drenasi, Lipjani dhe Shtimja. Në të gjitha tubimet, ashtu si edhe në dy ditët e mëparshme, masat ndaj parandalimit të përhapjes së koronavirusit nuk janë respektuar.
Eset Sahiti, kandidat për deputet nga Lipjani, ka thënë se Nisma Socialdemokrate ka kandidatët më të mirë nga të gjitha partitë e tjera. Ai ka premtuar që do të merren me temat më të rëndësishme të vendit.
“Kandidatët janë më të mirët nga të gjithë listat e partive të tjera. Kjo do të dëshmojë se njerëzit me shembullin e vet do të arrijnë përpara. Besimi juaj është i rëndësishëm për ne, për të ndërtuar një Kosovë me stabilitet ekonomik. Ne, si kandidatë për deputetë, do të merremi me intensitet me të gjitha temat e rëndësishme të vendit”, ka thënë ai.