Arbëri

Bajrami: 100 milionë euro plus për rimëkëmbjen nga rishikimi i buxhetit

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, njëherësh kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, ka thënë se kjo parti synon të ndajë edhe 100 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike, pos pakos prej 222 milionë eurosh të miratuar më herët.

“Mendojmë të krijojmë hapësirë buxhetore që në rishikim të buxhetit të ndahen edhe 100 milionë të tjera kryesisht për subvencione në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, ka thënë ajo në kuadër të shpalosjes së programit ekonomik të LDK-së në “Zgjedhjet në KOHË”.

Sipas saj, shtyllat kryesore të programit ekonomik janë qasja në financa përmes fondit kosovar për garanci kreditore.

“Janë 44.5 milionë euro të alokuara në fond. Subvencionim i tarifës dhe kapitalizimi i fondit. Kemi llogaritur që brenda mandatit të kapitalizohet fondi sipas nevojës. Kemi raportime nga ana e fondit që kërkesa kreditore por edhe oferta, janë rritur jashtëzakonisht shumë. Kemi rishikimin e politikave fiskale që të mos ngremë tatimet, por të rishikohet e tërë baza se ku ka nevojë të intervenohet. Ajo çfarë ne kemi parë deri tash është që të shtohet lista e produkteve në normë të TVSH-së në 8 për qind. Lënda e parë tashmë është liruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar”, teksa ka shtuar se planifikojnë që të ketë “fiskalizim central e të mos ketë më nevojë për arka fiskale”.

Sipas saj, me shtimin e 100 milionë eurove për rimëkëmbje do të mundësohet rritje ekonomike sivjet prej 5.2 për qind.