5 perditesime

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, derisa ka folur për programin në shëndetësi të kësaj partie, ka thënë se pikë kyçe është që të fuqizohet sistemi publik në Kosovë.

22:21

Lista esenciale e barnave: Partitë me qëndrime të ndryshme

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë treguar programin zgjedhor që përfshinë listën esenciale të barnave.

Në programin e PDK-së nga kjo listë do të sigurohen 580 ilaçe, e ndarazi kësaj, mjete financiare do të ndahen edhe për të prekurit me koronavirus.

“Sigurimi i 580 ilaçeve ne e mendojmë projekt të përbashkët me sigurimet shëndetësore. Është projekti jonë, me implementim të sigurimeve shëndetësorë parasheh edhe sigurimin e së paku 580 ilaçeve dhe 250 euro për të gjithë të prekurit me COVID-19”, ka thënë Bekim Haxhiu i kësaj partie.

Mirsad Shkreta i VV-së tha se në programin e saj parashihet që 80 për qind të përmbushet lista esenciale e barnave.

“Garantojmë se qytetari jo më 40 për qind të shërbimeve do t’i marrin nga xhepi i vet, por lista esenciale do shkojë mbi 80 për qind duke shkuar në qind për qindëshin e furnizimit me barna nga lista esenciale. Vlera financiare për buxhetin e shëndetësisë për çdo vit do t’i rritet nga 40 milionë euro dhe pjesa ku është e nevojshme do t’i shtohet barnave”, tha Shkreta.

Ndërkaq, Sali Asllanaj i LDK-së tha se gjithçka do të varet nga gjendja ekonomike e shkaktuar nga pandemia me COVID-19 dhe rikuperimi nga ajo. Përmbushjen e tërësishme të listës nuk e sheh të mundshëm, megjithatë në 2022 thotë se pjesë më e madhe e barnave esenciale do të realizohet.

“Në këtë rast do të merremi shumë seriozisht por varet edhe nga buxheti i Kosovës. Krahas rritjeve ekonomike, të buxhetit do ketë mundësi që lista e barnave esenciale të arrihet qind për qind, por për momentin nuk besoj se do arrihet sidomos në 2021. Në 2022 do jetë pjesë më e madhe e barnave esenciale mund të realizohet, por nëse gjendja ekonomike përmirësohet”, tha ai.

22:01

Programet e VV-së, LDK-së e PDK-së për sigurimet shëndetësore

Propozime të ndryshme për implementimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore kanë dhenë tri partitë më të mëdha në vend, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Sistem solidar” ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje për sigurimet shëndetësore, ndërsa një fond të ndarë më të majmë ka propozuar LDK-ja, e PDK-ja implementim të sistemit tashmë të dizajnuar të informimit shëndetësor.

“Mendojmë se Kosova duhet të ketë sistem solidar në kuptimin që ata që kanë paga më të ulëta të paguajnë më pak e ata më të larta më shumë”, ka thënë kandidati i VV-së për deputet, Mirsad Shkreta.

Ai ka thënë se VV-ja planifikon rritje të buxhetit për shëndetësinë, e që në fund të mandatit buxheti për këtë sektor të sillet në rreth 6-7 për qind të GDP-së.

Në anën tjetër, kandidati i LDK-së për deputet, Sali Asllanaj, ka thënë se duhet të ketë një bartje prej 200-300 milionësh në një fond për të nisur implementimin e ligjit. Ai ka thënë e implementimi i pjesshëm mund të nisë në vitin 2022.

Te PDK-ja, në program është përmendur nisja e implementimit të këtij ligji për 100 ditët e para të qeverisjes. Ish-deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, ka thënë se sa më shpejt që mundet duhet të niset me implementimin e sistemit të informimit shëndetësor, ndërsa ka shtuar se duhet të ketë hetim të keqpërdorimeve të deritashme në këtë proces.

Ai ka akuzuar edhe Qeverinë Kurti për kontratat gjatë periudhës së pandemisë, pasi Shkreta i VV-së akuzoi ish-qeveritë për keqmenaxhim dhe keqpërdorime në procesin e sigurimeve shëndetësore në të kaluarën.

21:38

VV-ja e LDK-ja premtojnë vaksinim të 60% të popullatës, PDK-ja 100%

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës planifikojnë që deri në fund të këtij viti të vaksinohet 60 për qind e popullatës në Kosovë me vaksinën kundër COVID-19. Ndryshe nga të dyja, Partia Demokratike e Kosovës thotë se do të arrijnë vaksinimin e të gjithë qytetarëve deri në fund të 2020-s.

Mirsad Shkreta nga VV tha se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet këtë vit marrë parasysh rrezikut më të lartë me të cilin përballen qytetarët.

“Që në vitin e parë, duhet patjetër të vaksinohet 60 për qind e popullatës sipas prioriteteve për rrezikshmëri të pacientëve, por jo me kontrata që janë bërë deri tash ku kontrata janë fshehë dhe nuk kanë lënë mundësi negocimi, është konstatuar se negocimi dhe kontrata nuk do publikohen. Sigurimi i vaksinave do jetë transparent tash dhe i hapur që qytetarët të dijnë si po menaxhohen mjetet e tyre publike”, ka thënë ai, në debatin "Zgjedhjet në Kohë".

Sali Asllanaj nga LDK, 60 për qindëshin e popullsisë e sheh po ashtu të mundshëm. Ai thotë se vaksinimi do të fillonte nga muaji i ardhshëm dhe se me trajnimin e ekipit shëndetësor kjo procedurë do të përfundonte shpejt.

“LDK veç ka vepruar, është lajm i mirë për vaksinat dhe mbetet në duart e profesionistëve ta zbatojnë projektin dhe prej muajit të ardhshëm do fillojmë me vaksinim. Viti 2021 do jetë viti i shikimit përpara. Me organizim të mirë, kur t’i kemi vaksinat ekipet mund të trajnohen dhe të përfundohet. 100,000 mijë që janë porositur do vijnë shumë shpejt. Edhe ne planifikojmë 60 për qind, patjetër. Pandemia do merr fund me atë 60 për qindësh”, tha ai.

Ndërsa, Bekim Haxhiu nga PDK thotë se deri në fund të vitit, të gjithë qytetarët do të vaksinohen. Madje, ai tha se për këtë ka edhe një plan, që fillimisht vaksinimi do të filloj nga moshat 16-vjeç e tutje.

“Qytetarët i kanë shembujt e këqij të menaxhimit të pandemisë nga dy qeveritë e kaluara, si me numrin e vogël të testimeve. Fillimisht do rrisim numrin e testimeve në ditët e para të qeverisjes, testime familjare e grupore, të dihet vatrat e infeksionit sepse sot nuk dihet ku janë vatrat e infektimit në Kosovë. Në muajt e parë të verës të realizojmë 70 për qind të vaksinimit të qytetarëve mbi 16-vjeç dhe deri në fund të vitit të gjithë qytetarëve. 100 për qind deri në fund të vitit”, tha Haxhiu.

21:24

Haxhiu: Qeveritë Kurti e Hoti s’dallojnë nga afera “Pronto”

Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria Kurti por as ajo Hoti nuk kanë dalluar nga afera “Pronto” e partisë së tij.

Sipas tij, edhe këto dy qeveri kanë bërë emërime politike në borde.

“Ka pas gjithmonë përpjekje që të krijohet një luftë speciale që të ketë fajësim të PDK-së për çdo gjë”, ka thënë ai fillimisht, teksa ka thënë se “ka pasur përpjekje të bindet publiku se nëse ministri e ka marrë një ish-drejtor si këshilltar, ai të akuzohet si anëtar i PDK-së”.

“Normalisht që ministri merr njerëz me përvojë. Të gjithë duan të kenë kuadro profesionalë”, ka thënë ai.

“Megjithatë s’po kuptoj pak për çështjen ‘Pronto’. Nëse është ‘Pronto’ emërimi në borde të partive politike s’dallon asgjë Qevertia Kurti e as Hoti në raport me atë që është dëgjuar në biseda. Kanë emëruar borde politike. Zoti Shkreta ka qenë në bord të SHSKUK-së, nga Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu.

Afera “Pronto” i dedikohet përgjimeve të publikuara nga telefonata të zyrtarëve të PDK-së dhe zyrtarëve të tjerë institucionalë, ku përmes bisedave bëheshin përpjekje për punësime.

21:15

Asllanaj: Shëndetësia nuk ka qenë kurrë prioritet numër një, as në qeveritë e LDK-së

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës Sali Asllanaj ka thënë në shëndetësia nuk ka qenë kurrë prioritet i Qeverisë së Kosovës, madje as në qeveritë ku ka qenë LDK-ja.

Këtë deklaratë Asllanaj e bëri në debatin “Zgjedhjet në KOHË” duke folur për synimet e LDK-së sistemin shëndetësor.

“Kurrë shëndetësia nuk ka qenë prioritet numër një i Qeverisë së Kosovës as në qeveritë ku ka qenë LDK-ja. Është shpenzuar shumë në infrastrukturë dhe gjithmonë shëndetësia është lënë anash, sepse të pretendosh ta përkrahësh shëndetësinë me ato mjete që janë ndarë është qesharake”, ka thënë Asllanaj.

Sipas tij, nëse angazhohet e tërë Qeveria, mund të pritet që të ndodhin gjëra të mira në shëndetësi.

Asllanaj ka thënë se aktualisht është e vështirë të flitet për pretendime të mëdha në sistemin shëndetësor të Kosovës për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.

21:14

Shkreta i VV-së: Garantojmë se do të jetësojmë sigurimet shëndetësore

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, derisa ka folur për programin në shëndetësi të kësaj partie, ka thënë se pikë kyçe është që të fuqizohet sistemi publik në Kosovë.

Ai tha se ne krye me VV-në në qeveri do punohet që sistemi primar të jetësohet.

“Pika kyçe programore është se jemi për sistem të fuqishëm publik. Duhet të ndërtojmë standarde të shërbimeve sepse kur flitet për shëndetësi flitet për SHSKUK, por duhet të flasim për ndërtim të sistemit primar. Sistemi parësor i ndërtuar në konceptin e mjekësisë familjare duhet të jetësohet më tej”, tha ai.

Shkreta në debatin “Zgjedhjet në Kohë” tha se VV-ja do të merret edhe me buxhetimin për të jetësuar sigurimet shëndetësore, të shumpëritura prej kohësh.

“Buxhetimi ka qenë problematikë vazhdimisht, kështu që VV-ja garanton që pas jetësimit të asaj që nuk është bërë në 20 vjet që është sistemi informativ shëndetësor, do të jetësojmë sigurimet shëndetësore të shumëpritura. Ne do vëmë themelet që të vazhdojmë të mbledhim premiume me shërbimet që o ti ofrojmë që në vitet e para të qeverisjes. Buxheti do jetë shtyllë që nuk ka qenë prioritet në qeveritë e kaluara”, tha ai.

Shkreta shton se pandemia shpërfaqi atë që VV-ja thoshte prej vitesh në opozitë, se “sistemi shëndetësor kishte probleme me personel, burime njerëzore, pajisje dhe mungesa thelbësore, si maskat e dorezat”.