Arbëri

Masat anti-COVID nuk respektohen as nga VV-ja e as nga Nisma

Descriptive Text

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore partitë kanë vazhduar të shkelin masat anti-COVID, njëjtë siç bënin në periudhën e parafushatës. Kanë qenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate, partitë e radhës që nuk kanë respektuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Ndonëse në Prishtinë dhe në Prizren, Vetëvendosje nisi fushatën në mënyrë më simbolike, vizita në Pejë e kandidatit për kryeministër të kësaj partie, Albin Kurti, dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani, është përcjellë me turmë të madhe të njerëzve. Edhe pse ecja ishte në hapësirë të jashtme, turma ishte e madhe dhe duke mos respektuar rekomandimin për distancë sociale.

Ngjashëm, por tubim të mbyllur, ka mbajtur Nisma Socialdemokrate. Në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit qindra persona kanë qenë të pranishëm në një sallë. Sipas masave në fuqi, në ambiente të mbyllura nuk lejohen tubimet me më shumë se 30 persona, gjithnjë duke respektuar edhe distancën fizike dhe mbajtjen e maskës.

Këto dy parti s’janë të vetmet që po shkelin masat anti-COVID. Për të gjitha subjektet e mëdha politike tashmë është raportuar për shkelje të masave. Deri më tash, vetëm Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndarë gjoba për partitë politike për organizim të tubimeve në kundërshtim me masat anti-COVID.