Arbëri

Qeveria e MASH-i nuk tregojnë përmbajtjen e kontratës kolektive

Ndonëse është nënshkruar të premten, Kontrata Kolektive e punëtorëve të arsimit dhe kostoja e zbatimit të saj kanë mbetur të panjohura për publikun. Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe Qeveria nuk e kanë bërë publike ende këtë dokument. Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Kontrata ka 26 pika që garantojnë mirëqenie më të mirë për punëtoret e arsimit, teksa ka kërkuar që ajo të zbatohet në tërësi

Prishtinë, 27 janar - Përmbajtja e plotë e Kontratës Kolektive, e nënshkruar 5 ditë më parë mes Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, ka mbetur sekrete. Asnjëra nga palët nënshkruese deri tash nuk e ka bërë publik këtë dokument.

Derisa në Sindikatën e Arsimit dhe në Qeveri kanë thënë se nuk e kanë Kontratën, por që ajo ndodhet në Ministrinë e Arsimit, kjo e fundit që nga e diela nuk i është përgjigjur kërkesës së KOHËS që t’i ofrojë qasje në Kontratë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se besojnë që brenda disa ditësh Ministria t’ua dërgojë këtë dokument. Kontrata Kolektive, sipas tij, përmban 26 pika të cilat presin të gjejnë zbatim. Në të kundërtën, si ka thënë ai, do t’iu rikthehen grevave.

“Janë çështje tepër të rëndësishme, si kontrata e përhershme e punës, norma e ruajtur, pastaj me kontratën e re veprimtarët sindikalë, për hir të aktivitetit sindikal dhe për të mos humbur orë, ku kryetarët e shkollave do të kenë dy orë më pak normën e tyre, kurse kryetarët e nivelit komunal do të kenë gjysmë norme punë në shkolla dhe gjysmë në emër të Sindikatës dhe do të marrin paga të plota. Këtë e kemi kërkuar dhe është pajtuar edhe Ministria”, ka thënë ai.

Ndërkaq paga e 13-të është paraparë të hyjë në zbatim nga viti 2023 dhe të vlejë vetëm për punëtorët më të dalluar të arsimit.

“Çështje të tjera kanë mbetur në kontratë, udhëtimi, shujta, tri pagat me rastin e pensionimit, pagat suplementare dhe ajo që e gëzon, edhe në takim me kryeministrin është thënë se këto paga janë planifikuar në buxhet dhe kolegët tanë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në gjykata”, ka shtuar Jasharaj.

Përveç Kontratës Kolektive, Qeveria ka arritur marrëveshje me SBASHK-un që punëtorëve të arsimit t’u ndajë shtesa për punën gjatë pandemisë dhe pagesa do të bëhet në dy këste, në shkurt dhe në maj. Shuma e saktë e shtesave nuk është bërë publike.

KOHA e ka pyetur MASH-in edhe për koston totale të Kontratës Kolektive, por nuk ka marrë përgjigje.

Në nivelin parauniversitar janë gjithsej 28 mijë punëtorë të arsimit. Kërkesa e SBASHK-ut ka qenë që secili punëtor i këtij sektori të paguhet nga 100 euro shtesë gjatë pandemisë. Në bazë të kësaj i bie që Qeveria do të paguajë afër 3 milionë euro në muaj vetëm për shtesa.

Tash e një muaj Sindikata e Arsimit kishte paralajmëruar grevë në arsim nëse Qeveria nuk nënshkruan kontratë kolektive me këtë sektor, si dhe t’iu ndajë shtesa. Kjo me arsyetimin se edhe punëtorët e arsimit e kanë rrezikuar shëndetin e tyre, duke punuar në shkolla gjatë pandemisë.

SBASHK-u kishte nënshkruar kontrata kolektive me ministrat e Arsimit edhe në vitin 2014 dhe në vitin 2017. Për shkak të mosrespektimit të disa pikave të atyre kontratave, shumë punëtorë të arsimit i kanë paditur komunat si punëdhënës të tyre.