1 perditesime
17:27

Balaj pas vendimit të Kushtetueses për Telekomin paralajmëron hapa radikal

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj ka komentuar vendimin e Gjykata Kushtetuese e cila ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës dhe kërkesën për vendosje të masës së përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutim i aktvendimit të Themelores së Prishtinës, me të cilin Telekomi detyrohet që t’i paguajë operatorit Z-Mobile shumën prej mbi 24.6 milionë euro.

Ai ka thënë se ky vendim nuk është dashur të ndodhë, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese e ka për obligim mbrojtjen e pasurisë dhe jo fundosjen e saj, derisa ka paralajmëruar hapa sindikal.

Balaj në një përgjigje për KOHËN ka thënë se Kushtetuesja me këtë vendim vetëm sa e ka përforcuar që krimi dhe korrupsioni është në çdo institucion në Kosovë.

“Ky vendim do të sjellë pasoja të rënda për Telekomin e Kosovës dhe punëtorët, pasi që tash pos që cenohet aseti i sigurimit shtetëror, Telekomi do të cenohet edhe rendi publik, pasi që mund të mbesin pa paga punëtorët dhe si duket edhe Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë krimit të organizuar të veprojë si të duan në Kosovë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka me ligj që t’i mbrojë punëtorët dhe të mos lejojë cenimin e rendit publik. Por sot kjo gjykatë na thotë të mos besojmë te ajo sepse janë si të tjerët”, ka thënë ai.

Balaj ka paralajmëruar hapa sindikal. Ai ka thënë se as ky vendim nuk do ta arrijë qëllimin e falimentimit të Telekomit.

Ai ka fajësuar pushtetet për gjendjen e Telekomit.

“Për neve si punëtorë nuk ka mbetur asgjë përpos t’i marrim hapat sindikal, ndërsa për Qeverinë e Kosovës më e rëndësishme është t’i jepen nga 16 milionë euro kompanive që janë të lidhura me krimin dhe energjinë efiçiente sesa të merret me ndërmarrjen që i ka dhënë mbi 500 milionë euro divident dhe asnjëherë nuk ka pasur nevojë të jepen mjete për asgjë për të. Sot kemi nevojë që shteti t’i rregullojë gabimet e veta që me menagjimin e vet e ka shkatërruar këtë ndërmarrje. Në fund ju them se as ky vendim nuk do ta arrijë qëllimin që të falimentohet Telekomi. Apo me falimentim të mbyllen hajnitë që krimi i organizuar bashkë me pushtete e kanë sjellë buzë kolapsit. Ne nuk do të dorëzohemi, do të qëndrojmë përballë sfidave deri në realizimin e kërkesave tona. FSP-PTK do t’i bëjë publik hapat që do t’i ndërmarrim, hapa që garantohen me ligj për organizimin sindikal, por nuk përjashtohen edhe hapat radikal”, ka thënë ai.

16:37

Kushtetuesja refuzon ankesën e Telekomit ndaj vendimit të Apelit në lidhje me Z-Mobilen

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës dhe kërkesën për vendosje të masës së përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutim i aktvendimit të Themelores së Prishtinës, me të cilin Telekomi detyrohet që t’i paguajë operatorit Z-Mobile shumën prej mbi 24.6 milionë euro.

Fillimisht ndaj vendimit Telekomi kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 8 tetor të vitit 2020, kishte refuzuar ankesën e Telekomit dhe kishte lënë në fuqi vendimin e Themelores.

Telekomit i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për t’i tërhequr paratë.

Telekomi ka dërgiuar çështjen në Kushtetuese, duke u ankuar për aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 22, për zbatimin e drejtpërdrejt të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, 24 për barazi para ligjit dhe 31 e drejta për gjykim të drejtë e të paanshëm, sipas Kushtetueses së Kosovës. Telekomi kishte kërkuar nga Kushtetuesja të vendoset masa e përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutimi i vendimit të kontestuar, aktvendimi i Themelores në Prishtinë i 6 korrikut të vitit 2020 dhe urdhri përmbarimor i datës 15 korrik të vitit 2019.

“Kolegji shqyrtues propozoi që, të refuzohet kërkesa e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme dhe që në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (1)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme”, thuhet nga Kushtetuesja.