Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dorëzuar sot ankesat në Gjykatën Supreme në lidhje me moscertifikimin e listave të tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.
KQZ-ja nuk certifikoi listat e VV-së dhe AAK-së, pasi sipas aktgjykimit të Kushtetueses, disa kandidatë kishin probleme me ligjin.
Pas kësaj, partitë, përfshirë edhe Nismën shtruan ankesa në PZAP, por edhe aty morën përgjigje të njëjtë dhe sot kanë shfrytëzuar instancën e fundit për apelim sa u përket zgjedhjeve – Gjykatën Supreme.
Mes pesë kandidatëve nga VV-ja që nuk plotësojë kushtet për certifikim, është edhe lideri Albin Kurti. Të tjerët janë: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.
Pas dorëzimit të ankesës në Supreme, anëtari i VV-së, Blerim Sallahu, ka thënë se në gjykatë kanë dorëzuar argumente të mjaftueshme për të certifikuar kandidatët e tyre.
“Kodi Penal mbi të cilën i janë shqiptuar dënime kandidatëve tanë s’përbën asnjë efekt juridik, dhe ne besojmë që kandidatët tanë do të certifikohen duke ditur edhe profesionalizmin që ekziston në Gjykatën Supreme”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se nuk besojnë se Supremja do ta rrëzojë ankesën, por nëse ndodh kjo atëherë nuk e përjashton mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.

E kandidatët e AAK-së që nuk plotësojnë kushtet ligjore për certifikim janë: Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.
Sot është afati i fundit për të bërë këtë.