5 perditesime
21:40

Ismaili: Po shohim një rënie të Vetëvendosjes

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, njëherit kandidat nga radhët e kësaj partie për deputet, ka thënë se ajo që po sheh është një rënie e Lëvizjes Vetëvendosje.

"Ajo që po shohim është se ka rënie të Lëvizjes Vetëvendosje. Po e shohim që mungesa e debatit, planeve, kërkesa që të votohet një person, shpeshherë shihet edhe ambicia e tij mbi rendin kushtetues, mbi Kushtetutën e Kosovës dhe mbi ligjet e Kosovës, gjitha këto po e ulim besimin që ndoshta qytetarët kanë mundur ta kenë. Në anën tjetër po shohim planet konkrete të PDK-së, pakoja e rimëkëmbjes ka qenë dëshmi që PDK-ja mund të realizojë diçka për qytetarin”, ka thënë Ismaili në DESKUN e KOHËS. “Çfarë modeli ke parë nga opozitat tjera gjatë tërë kohës. Gjitha opozitat tjera që kanë qenë në Kosovën, asnjëra nuk ka votuar diçka që është kërkuar nga Qeveria edhe nëse ka qenë në të mirë për qytetarin. Përkundrazi ke pasur opozitë destruktive. PDK-ja ka dhënë ekspertin e vet më të mirë, në këtë rast Bedri Hamzën, dhe ka dal e ka realizuar Pakon e Rimëkëmbjes dhe e kemi votuar. Qytetarët po munden të bëjnë dallimin se kjo është ajo çka mund të presin nga Qeveria e PDK-së. Të presin veprime konkrete, plan konkret, ekip dhe implementim”.

Ai ka thënë se nga VV-ja po shihet një sinkronizim i të gjithëve për zgjedhjen e një personi dhe asgjë tjetër.

“Po shohim nga Vetëvendosja se ka një sinkronizim të gjithëve për zgjedhjen e një personi dhe asgjë tjetër. Kjo është vula e vetme e këtyre zgjedhjeve, sipas Vetëvendosjes, që të zgjidhet një person dhe që nuk ka plane dhe vendos veten mbi shtetin. Në ditët e fundit nga kërkesat për të mos u respektuar vendimi i Kushtetueses, mendoj se kjo ka qenë e dëmshme. Kushtetuta ka rrëzuar edhe president dhe ka prish plane të PDK-së. Në kohën kur u zgjedh Behgjet Pacolli, ka qenë plan i PDK-së ndoshta, por e rrëzoi Kushtetuesja”, ka thënë Ismaili.

21:22

Ismaili: PDK-ja, trashëgimtarja e vërtetë e UÇK-së

Uran Ismaili është i bindur se nëse jo çdo i treti, atëherë çdo i katërti në listën PDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sekretari i PDK-së, ka thënë në emisionin Desku në KTV, se kjo dëshmon sipas tij, që PDK-ja është trashëgimtarja e vërtetë e UÇK-së.

Ditëve, të fundi edhe partia e dalë nga PDK-ja, Nisma e Fatmir Limajt, po zhvillon parafushatën, duke thënë se po mbron vlerat e UÇK-së “më mirë se kushdo tjetër”.

“Çdo i treti, ose çdo i katërti në listën e PDK-së mund të them që ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në përpjekjen e Kosovës për liri. Askush nuk e ka analizuar listën, kjo është më shumë dashakeqe. Cilat parti kanë më shumë? Analiza nuk po bëhet e drejtë, ma gjeni një parti tjetër ose një listë që ka përkrahje aq të madhe nga veteranët e UÇK-së, nga ushtarët e UÇK-së, të cilët janë në listë nga të gjitha komunat. Kjo tregon se e shohin PDK-në si trashëgimtare të vërtetë të UÇK-së”, ka thënë Ismaili.

21:08

Ismaili: Kurti ndihet i pasigurt për të dalë në debat

Sekretari i PDK-së dhe kandidati për deputet, Uran Ismaili, ka thënë se VV-ja është e pasigurt për të dalë në debat.

Ismaili thotë se ka parë një mungesë të përvojës së VV-së në qeverisje qoftë me Shëndetësi, apo gjithë sektorët dhe se kjo ka bërë që VV-ja dhe vet kryetari i saj Albin Kurti të ketë pasiguri për të dalë në debat. Ai ka thënë se është në interes të publikut dhe të gjithëve për të dalë në debat, duke aluduar te ftesa që i ka bërë bartësi i listës së PDK-së, Enver Hoxhaj, Albin Kurtit për debat televiziv.

“VV-ja ka pasiguri në debat. Nuk kanë të menduar mirë. Kam parë një mungesë të përvojës së tyre në qeverisje, qoftë Shëndetësi, apo edhe gjithë sektorët. Gjithë këto kanë krijuar pasiguri te LVV-ja dhe vet z. Kurti që në një ballafaqim me përvojën dhe planet e mirëmenduara të PDK-së nuk do të jenë në gjendje të dalin dhe të jenë të denjë para publikut. Kemi ftesë publike dhe ajo do të ishte në interes. Mendoj se është në interes të mediave, publikut e shoqërisë civile, që të dinë planet e t’i krahasojnë me njëra-tjetrën. Është kulturë e mirë demokratike, që z. Kurti vet e ka promovuar. Këtu i kam disa probleme me qëndrimet e LVV-së e në këtë rast të z. Kurti, se është mirë atëherë kur ai e konsideron se është mirë, e parimin e ndërron kur i konvenon që ta ndërrojë”, ka deklaruar Ismaili në DESKUN e KOHËS.

20:58

Ismaili: Me PDK-në në pushtet do të ndahen 500 milionë euro grante

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se me kthimin e PDK-së në pushtet, do të ndahen 500 milionë euro për grante, si injektim për ekonominë e goditur rëndë nga pandemia.

Ismaili në një intervistë në Deskun e KOHËS, ka thënë se ky është programi i quajtur Rimëkëmbja, ndonëse nuk ka treguar saktë se ku do të merren këto para.

“Partitë e kanë obligim të tregojnë se çfarë duhet të presin qytetarët nga ata. PDK-ja konsideron se është e rëndësishme që qytetarëve t'u paraqiten planet, t’u paraqiten ekipet e veta, të paraqitet kryeministri, mundësinë që planet të debatohen, të kritikohem, t'iu tregojmë se çfarë mund të përfitojnë ata nga ne. Si e shohim ne qeverisjen, si e shohin ne ekonominë, ngase konsiderata jonë është se ne duhet të japim një fond prej 500 milionë euro për grante dhe ai duhet të injektohet në ekonominë e vendit”, ka thënë Ismaili.

Pas insistimit të tregohet se ku do të merren këto para, Ismaili ka thënë se kjo është paraparë nga hartuesi i programit ekonomik në PDK-së, Bedri Hamza.

“Kemi bazën, burimet financiare janë, kjo është e mira, prandaj kemi ftuar edhe z. Kurti që të debatojë me Hoxhajn”, tha ai.

Po paratë ku do i merrni?

“Nga borxhi publik, nga borxhi i brendshëm, nga investimet kapitale, d.m.th. ato që kanë si deficit buxhetor, pra të gjitha burimet i ka përshkruar z. Hamza. Kjo është PDK-ja, kjo është Rimëkëmbja që ne paraqesim para qytetarëve, plane ekip dhe jemi të hapur për debat”, shtoi ai.

20:52

Ismaili: PDK-ja e bën dallimin në sektorin e Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së thotë se partia e tij e bën dallimin në sektorin e Shëndetësisë.

Ai ka treguar se si në kohën e tij sa ishte ministër i Shëndetësisë, ka rritur buxhetin.

“Këtu e bën dallimin PDK-ja në sektorin e Shëndetësisë. Ne e kemi rritur buxhetin në sektor të Shëndetësisë. Prioritet është nëse i jep edhe buxhet. Unë e kam rritur buxhetin në atë kohë dhe isha ministri i parë nga radhët e PDK-së që ka udhëhequr Shëndetësinë”, ka thënë Ismaili në DESKUN e KOHËS. “Kemi pasur më herët prioritete tjera, arsimin, infrastrukturën. Çdo qeveri ka prioritete tjera. Me i pyet sportistët ata thonë se sporti është tepër i rëndësishëm”.

Ai ka kritikuar qeveritë Kurti dhe Hoti se si kanë menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19.

“Në kohën kur pandemia ka qenë e befasishme për shumicën e shteteve, hulumtohej se si me detektu virusin. Është gjetur shumë shpejt, është shpërndarë nga Kina, është dhënë mundësia me hulumtu, është dizajnu testi, janë përdorur kitet që e zbulojnë dhe është shpërndarë në gjithë botën. Në Kosovë gjatë tërë kësaj kohe, edhepse bota ka mësuar e është adaptu, në Kosovë është pritur nga Banka Botërore, OBSH-ja dhe gjithë tjerët që të ndihmojnë. Nuk ka pasur reagim institucional. Kur e sheh një situatë të re, duhet të punosh si gjithë shtetet që kanë punuar në Evropë, e jo të ankohesh. Shtetet në Evropë janë munduar të krijojnë kapacitete të reja krahas një situatë të re. Në kohën time problemi kryesor në QKUK kanë qenë stendat, skandali më i madh. Unë kam punuar të krijohet infrastrukturë e re, kuadër i ri për ta përballuar dhe është përfunduar ajo punë. Sot po them, ka filluar pandemia, po mbyllet pandemia dhe ke testime vetëm në Prishtinë”.

20:40

Ismaili: Një Kosovë stabile, trashëgimi e PDK-së

Uran Ismaili, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, beson se qeverisja e partisë së tij për 12 vjet (2017 – 2019), ka qenë model dhe se sipas tij, “një Kosovë stabile është trashëgimi” e asaj që ka bërë PDK-ja.

Ismaili i ftuar në Deskun e KOHËS pati kritika për dy qeveritë që erdhën pas largimit të PDK-së nga pushteti, asaj Kurti dhe Hoti.

“Unë mendoj që trashëgimia që kemi lënë ne ka qenë një Kosovë stabile, një Kosovë me borxhin më të ulët publik në rajon, një Kosovë që e kemi lënë me 2,2 miliardë euro buxhet, ndërkohë e kishim gjetur me 600 milionë euro, një Kosovë e cila ka krijuar një infrastrukturë pa borxhe, e ka rritur infrastrukturën shkollore, një ekonomi e cila ka pasur gjithnjë rritje gjatë tërë kohës dhe tani jemi në një situatë kur ekonomia është në rënie, kur është në humbje, ka pasur dhe do të ketë humbje të mëdha dhe çfarë reagimi kemi nga qeveritë?”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se qeveritë Kurti e Hoti vepruan në kundërshtim me situatën. Po ashtu, i kritikoi për vonesat në miratimin e pakove financiare gjatë kohës së pandemisë.

“Është bërë një kërkesë nga shumë ekonomistë, që gjatë kohës së pandemisë qeveritë të reagojnë, ju kujtohen qeveritë evropiane dhe ka qenë një kërkesë të bëhet një pako, një intervenim duke konsideruar që të jetë sa më i gjerë e të prekë sa më shumë njerëz dhe të bëhet sa më shpejt. Të dy këto parime nuk janë respektuar nga ana e qeverive, në ekonomi nuk është bërë asnjë lloj investimi, përkundrazi, gjatë Qeverisë Kurti, ministri i Financave në atë kohë i ndali edhe investimet kapitale, që është kundër logjikës dhe kundër rregullave të krizave. Pra në kohë të krizave, ti lejon shpenzimin e parave, pasi e vetmja mënyrë që paraja me mbërri te qytetari është përmes investimeve kapitale, pos skemave sociale”, ka thënë ai.