Arbëri

MASH-i del me sqarim pas kallëzimit penal të dorëzuar nga VV-ja

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dal me një sqarim pas kallëzimit penal që ish-deputeti i VV-së, Fitim Uka, e ka dorëzuar sot në Prokurorinë speciale ndaj ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj dhe dy zyrtarëve të MASH-it, për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Nga MASh-i është thënë se ministri në detyrë Ramë Likaj nuk ka nënshkruar asnjë dokument që lidhet me tenderin “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”. Është thënë se dosja e tenderit është nënshkruar nga zyrtarët e MASH-it dhe personi i autorizuar nga ministri.

MASH-i po ashtu ka bërë të ditur se gjatë procedurës së prokurimit është bërë një gabim teknik, por është rregulluar 17 ditë më vonë.

“MASh po ashtu bën të ditur se, kërkesa e nënshkrimit të procedurave të prokurimit është përcjellë nga Divizioni i Infrasturës dhe në pjesën e specifikimeve teknike janë 43 artikuj. Në bazë të kërkesës së inicuar të Divizionit të Infrastrukturës, gjatë procedurës së prokurimit është bërë një gabim teknik, i cili është rregulluar shtatëmbëdhjetë ditë para hapjes së tenderit. MASh gjithashtu njofton se, kontrata në fjalë është nënshkruar për 43 artikuj, siç është përshkruar në kërkesë dhe nuk ka pasur ndryshim në çmime. Shpallja e fituesit është bërë sipas ofertës me çmimin më të ulët. Tutje ju bëjmë me dije se, inicimi i procedurave të prokurimit ka filluar më 4 nëntor 2020 dhe hapja është bërë më 27 nëntor 2020. Procedurat kanë qenë transparente dhe të publikuara në e-prokurim. Gjatë procedurës së prokurimit ka pasur një ankesë nga një operator ekonomik, ku OShP-ja ka marrë vendim në favor të autoritetit kontraktues. Vendimi i OShP-së me numër A.nr.1069/20, ankesën e operatorit ekonomik e hedh si të palejuar dhe konstaton se autoriteti kontraktues, pra MASh mund të vazhdojë tutje me procedurat e prokurimit publik. MASh gjithashtu njofton se, procedurat kanë qenë transparente dhe në përputhje të plotë më Ligjin e Prokurimit”, thuhet në sqarimin e MASH-it.