Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pajisja e shqiptarëve të Luginës me pasaportë kosovare – premtimi i dy partive në vend

Partitë politike tashmë janë duke bërë fushatën parazgjedhore para elektoratit të tyre. Derisa subjektet bëjnë fushatë për partitë e tyre, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, fushatën e ka fokusuar për kandidaturën e presidentit.

Tek premtimet elektorale, AAK-ja dhe Partia Demokratike e Kosovës bashkohen edhe në një pikë. Ajo është premtimi për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Haradinaj gjatë së dielës u ka premtuar atyre se kur ta merr mandatin e presidentit, do të iniciojë planin për t’i pajisur ata me shtetësi të Kosovës.

“Vëllezërve të Luginës së Preshevës, iu zotova se me të marrë mandatin si President i vendit do të inicioj dhe zbatoj me përpikëri planin e natyralizimit të tyre, duke i pajisur me shtetësi të Kosovës. Me këtë, luginasve do t’u mundësohet realizimi i një të drejte të ligjshme për dy shtetësinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka shtuar se partia e tij gjatë qeverisjes, Luginën e Preshevës e kishte në fokus, duke ndarë mjete financiare për të investuar në forma të ndryshme atje.

Një premtim të ngjashëm për pajisjen me pasaporta kosovare e kishte bërë ditë më parë edhe kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj.

Ai në një takim kishte thënë se me të marrë postin e kryeministrit, do u dilte në ndihmë bizneseve shqiptare në Luginë të Preshevës duke ua lehtësuar operimin atje.

Edhe AAK-ja përmbyll fushatën, Haradinaj premton dyfishim pagash dhe pensionesh Zgjedhjet 2025 AAK-ja përmbyll fushatën, Haradinaj premton dyfishim pagash dhe pensionesh

“Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë nevojë sot, më shumë se kurrë për solidaritetin tonë dhe për ndihmën e shtetit të Kosovës. Andaj, pajisja e tyre me pasaportë të Kosovës, është prioritet i yni dhe vetëm ne mund ta përmbushin këtë”, kishte shkruar Hoxhaj në Facebook pas takimit.

Gjatë kësaj parafushate, PDK-ja u ka premtuar gjithashtu shqiptarëve të Luginës inicimin e ligjit që do u siguronte atyre mbështetjen financiare, arsimore, kulturore dhe shoqërore, rritjen e kuotave për studentë nga Lugina, hapjen e pikave të reja kufitare me Luginën e Preshevës dhe krijimin e fondit për kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë premtuar gjithashtu nga një pako 1 miliard euro për Rimëkëmbje Ekonomike.