Arbëri

Vetëvendosje e quan të kotë “përpjekjen për të parandaluar Qeverinë Kurti 2”

Vetëvendosje e quan të kotë “përpjekjen për të parandaluar Qeverinë Kurti 2”
 

Duke i renditur disa vendime të Gjykatës Kushtetuese për të cilat thotë se janë të ndikuara politikisht në kundërshtim të Lëvizjes Vetëvendosje, zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, vendimin që të mos u lejohet kandidimi për deputetë të dënuarve për vepër penale në tri vitet e fundit e ka cilësuar si “përpjekjen e fundit të organizuar për të parandaluar Qeverinë Kurti 2”. Megjithatë, sipas tij, kjo përpjekje është e kotë.

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 kur vendosi se e drejta ekskluzive për formimin e qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa më 2019 se ajo mund të bëhet edhe pa fituesin e zgjedhjeve. Më 2020, ai ka thënë se Kushtetuesja “përkundër që nuk e kishte fare objekt shqyrtimi, në interpretimin e saj megjithatë vendosi një standard arbitrar sipas së cilit pretendohet se askush që është dënuar me vepër penale në tre vjetët e fundit, pavarësisht veprës, nuk mund të kandidojë për deputet”, e se tash KQZ-ja pritet të mos certifikojë kandidatët e VV-së që janë të dënuar me vendim të prerë në tri vitet e fundit, “përkundër se në zgjedhjet e kaluara kishte konstatuar se ajo nuk ka asnjë të drejtë t’ia mohojë kandidimin askujt që nuk ka vendim plotësues”.