Arbëri

Sindikata e Policisë paralajmëron protesta për mosrealizimin e kërkesave

Këshilli drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta për siç thonë ata “diskriminimin dhe anashkalimin e punonjësve të PK-së”.

Sipas tyre, nuk ka pasur ende një përgjigje për kërkesat e parashtruara, sa i përket vazhdimit të pagesës së pakos emergjente për të gjithë punonjësit e PK-së dhe pagesa e shujtës ushqimore.

“Mirëpo edhe pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të një pas njëshme, akoma nuk ka asnjë përgjigje sa i përket realizimit të këtyre kërkesave sipas zotimeve. Sepse jo të gjithë zyrtarët policor janë duke u përfshirë në pagesën e pakos (shtesës prej 100 eurosh). Ndërsa për shujten ushqimore nuk kemi përgjigje se do paguhet sipas legjislacionit në fuqi, por edhe sipas zotimeve se do filloi nga ky fillim vit”, thuhet në komunikatën e tyre.

Për këtë, në takimin e këshillit është paralajmëruar protesta në shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Andaj duke parë këtë, Këshilli drejtues i SPK-ës, sot me datën 21.01.2021 në takimin e mbajtur ka vendos që të paralajmëron protesta duke parë shqetësimin, diskriminimin dhe anashkalimin e punonjëseve të PK-së. Dhe mu për ketë kërkojmë reflektim të shpejtë dhe konkret të Qeverisë së vendit, pasi që zgjedhja e veprimeve tona sindikale tashmë do jetë vetëm protesta”, thuhej më tej.