4 perditesime
21:28

“Marrëveshje çdo gjë 1 euro”, përplasje mes Kusari-Lilës e Bislimit për zotimet e Washingtonit

Përplasje mes ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila dhe Faton Bislimit, ka nxitur deklarata e të parës se pikat në marrëveshjen e Washingtonit ishin sikur “dyqanet gjithçka një euro”. Deklarata e saj u cilësua si skandaloze nga Bislimi.

Në Deskun e KOHËS, Bislimi e cilësoi si koherente qasjen e SHBA-së për Kosovën, qoftë nëse me shtetin ka udhëhequr Partia Demokratike apo ajo Republikane.

“Ajo që e dallon qasjen e republikanëve dhe demokratëve është qasja e tyre në politikën e jashtme. Republikanët dinë të marrin vendime kokë më vete, e kësaj ja kemi pa hairin kur Bushi tha se është mjaft me dialogun dhe se Kosova do të bëhet e pavarur. Te demokratët është qasja që të gjithë të bëhemi bashkë”, ka thënë ai duke komentuar marrëveshjen që Kosova dhe Serbia nënshkruan në Washington në praninë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ai ka thënë se nëse administrata e re amerikane, e udhëhequr nga Joe Bideni që sot u inaugurua, vendos të riformulojë pika nga kjo marrëveshje, “i mbetet klasës politike vendore të vendosë në partneritet me ta”.

Kjo u kundërshtua nga Kusari-Lila që u shpreh se s’mund të thuhet se ka pasur konsistencë të SHBA-së në raport me Kosovën, e në këtë rast të tërhiqet paralele me Trumpin, duke ndërlidhur këtu edhe sjelljet e pazakonta të Trumpit që theu traditën amerikane duke refuzuar pjesëmarrjen në inaugurimin e pasrendësit.

“Ai është një njeri jokonvencional. Për ne është me rëndësi të shohim çfarë ka ndodh se si mund të sanohet ai dëm i nënshkrimit të zotimeve”, ka thënë ajo.

“Për mua, kur e kam pa marrëveshjen e kam pa se është sikur ‘çdo gjë 1 euro’.... E vetmja gjë që ka pas peshë ka qenë njohja nga Izraeli që brengosem se s’ka ardhur në formë formaliteti”, ka shtuar Kusari-Lila duke theksuar se Kosova duhet të ketë prioritete në temat e dialogut.

Ndaj kësaj deklarate reagoi më ashpër Bislimi. Sipas tij, “s’mund të quhen të pavlera letrat që dalin nga Shtëpia e Bardhë”.

“Po i referohemi një dokumenti të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë si letër pa vlerë e se si e tillë s’ka benefit të rëndësisë së veçantë, duke harruar se ka qenë vetëm një letër në vitin 1988 nga presidenti Bush ku ishte dhënë kërcënimi i Kërshëndellave që mandej edhe u theksua më 1992. Po ta kishim këtë qasje se s’kanë vlera këto letra është gabim. Kjo s’qëndron. Menjëherë pas marrëveshjes pati delegacion në Kosovë që qëndroi. Prandaj kohezioni që ka treguar Amerika dhe insistimi për implementimin e marrëveshjes e hedh poshtë idenë se janë dy faqe koti”, u shpreh Bislimi.

20:58

Palokaj flet për besimin që e humbi Evropa ndaj SHBA-së gjatë mandatit të Trumpit

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, vlerëson se katër vitet e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë kanë lënë gjurmë në vetëdijen e evropianëve.

Ai thotë se evropianët, bazuar në anketat e fundit kanë humbur me të madhe besimin në SHBA si superfuqi, por edhe si mbrojtëse e interesave të Evropës.

“Në një anketë të bërë dhe të publikuar nga Këshilli për marrëdhënie të jashtme dëshmon se vetëm 10 për qind e evropianëve besojnë se Amerika do t'u dilte në mbrojtje në rast të nevojës. 60 për qind e evropianëve mendojnë se sistemi amerikan është i shkatërruar dhe se për 10 vitet e ardhshme Kina do të jetë superfuqia në botë, e jo SHBA-ja. E ajo që është edhe më e rrezikshme, do të kisha thënë, është se evropianët, qytetarët mendojnë se BE-ja dhe shtetet e tyre nuk do të duhen të përzihen në rast të një konflikti të SHBA-së dhe Kinës. Këto dëshmojnë një situatë të vështirë në raporte dhe një mosbesim të madh ndaj SHBA-së”, ka thënë Palokaj.

Sipas tij, jo për të gjitha është fajtor presidenti Trump.

Evropë kemi pasur lëvizje anti-amerikane edhe para se të vinte Trumpi, mirëpo Bideni do të ketë një bazë të mirë sa i përket besimit që ai si person ka tek aleatët evropianë, por edhe një bazë jo të mirë të besimit të njerëzve në fuqinë dhe ndikimin amerikan”, ka shtuar ai.

20:28

Kusari-Lila: Mesazhi i Bidenit për unitet të reflektojë edhe në Kosovë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se mesazhi i parë i Joe Bidenit si president i SHBA-së që kërkonte unitet të popullit amerikan, duhet të reflektojë edhe në Kosovë.

Biden pas inaugurimit si president i ri i SHBA-së u shpreh se në Amerikë ka ardhur koha për unitet pas ndasive të mëdha. Ai u deklarua se do të jetë president i të gjithëve. E koha për unitet ka ardhur edhe në Kosovë, është shprehur Kusari-Lila në Deskun e KOHËS.

“Sot pamë mesazhet e tij për unitet, pas një ndasie. Uroj që të reflektojnë edhe në Kosovë, pasi pas një polarizimi të thellë është koha për kthim në vlera dhe trajtimin e mirëfilltë të temave që na presin, me shumë rëndësi dhe peshë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.

20:18

Besnik Pula: Sot u restaurua demokracia në SHBA

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Virginia Tech, Besnik Pula, vlerësoi se dita e sotme është e madhe për SHBA-në dhe demokracinë, por edhe një përgjegjësi e madhe për presidentin e ri, Joe Biden.

Pula në një intervistë në Deskun e KTV-së, tha se Bideni po e merr mandatin në një kohë kur SHBA-ja është e polarizuar për shkak të politikës së Donald Trumpit.

Ai e ka quajtur restaurim të demokracisë ceremoninë e inaugurimit të sotëm.

“Ndodhi një lloj restaurimi i demokracisë në SHBA, ku në shkallët e godinës ku para dy javësh pati sulm të egër, sot ndodhi një ceremoni historike e tradicionale e transferimit të pushtetit. Trumpi nuk ishte, por ishin presidentët tjerë të gjallë, përfaqësues të Kongresit, të Gjykatës Supreme”, ka thënë Pula.

Ai i referua protestave të dhunshme në Kongres, më 6 janar, kur kongresistët vulosën fitoren e Bidenit në zgjedhje. Protestuesit ishin nxitur nga gjuha refuzuese e Trumpit për zgjedhjet e nëntorit të shkuar.

Pula ka vlerësuar se gjendja në SHBA është shumë e rëndë për shkak të pasojave që ka sjell pandemia.

“Gjendje shumë e vështirë, Bideni po trashëgon një situatë të rëndë, si në aspektin shëndetësor, pasi janë mbi 400 mijë viktima, virusi ka dalë nga kontrolli, vaksinimi po shkon ngadalë, ekonomia nuk është në gjende të mirë, shumë vende të punës janë shuar, shumë amerikanë rrezikojnë të mbesin pa kulm mbi kokë. Biden ka premtuar që qysh sot do të merret me këtë situatë. Ai po trashëgon një vend të polarizuar. Ka bërë thirrje për unitet dhe se do të qeverisë si president i të gjithëve, por ekziston një rrymë që mund ta ndjekë rrugën e Trumpit për kontestim të fitores dhe të ushqejë këtë polarizim”, ka vlerësuar Pula.

Pula: Trumpi nuk do të tërhiqet, por do të jetë i kufizuar

Profesori Pula nuk mendon se Trump do të tërhiqet nga skena politike, siç bëjnë zakonisht presidentët tjerë pas mbarimit të mandateve. Megjithatë, ai tha se Trump është i kufizuar në të gjitha anët, si në aspektin biznesor ashtu edhe në atë politik.

“Është në natyrën e Trumpit që ta mbajë vëmendjen nga ai, është pjesë e personalitetit të tij. Por në të njëjtën kohë është i izoluar në shumë aspekte, edhe në aspektin biznesor, edhe në politik. Do të ballafaqohet me akuza nga prokuroritë. Për shembull, prokuroria në New-York është duke e hetuar financat e Trumpit dhe ai do të ketë telashe me ligjin në muajt që vijnë dhe nuk di sa do të ketë kohë të merret me gjëra siç janë krijimi i një partie të re apo një rrjeti social. Por, gjithsesi nuk besoj se do të tërhiqet e të vazhdojë jetën i heshtur siç bëjnë presidentët tjerë”, ka thënë Pula.

20:01

Bislimi: Bideni u bë president në mes të ndasive të mëdha në Amerikë

Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka thënë se presidenti i ri amerikan Joe Biden ka marrë pushtetin në një kohë kur në SHBA ka ndasi të thella mes qytetarëve.

Ai ka thënë se fillimi i administratës së re do të ketë sfida të mëdha për shkak të ndasive që ka shkaktuar gara presidenciale mes Bidenit dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Ndasitë kanë qenë si rezultat i dy ideologjive të ndryshme politike që dy kandidatët kanë projektuar te publiku. Thellësia e ndasive ka qenë më e madhe se herët tjera për shkak të rivalitetit që u rrit duke pas parasysh faktin që Trumpi s’ishte president tradicional siç jemi mësuar të shohim. Ishte president jokonvencional. Si rezultat i këtyre përthyerjeve të mëdha, qoftë në aspektin e dy garuesve, por edhe mbi të gjitha për atë se çka këta përfaqësonin. Kishim në njërën anë republikanizëm të rrallë, që kalon në ‘trumpizëm’ dhe një demokratizëm që ka qenë goxha tradicional, por më i majtë se herët tjera. Kjo ndasi mes të majtës demokrate dhe të djathtës konservatore republikane që tani siç e thash po kthehet në ‘trumpizëm’ të ri ka sjellë rezultat që ka bërë këtë ndasinë e madhe”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Bislimi po ashtu ka thënë se ‘trumpizmi’ është veç në fillet e veta.