4 perditesime
23:33

Muja: Asociacioni dhe ndarja marrin fund me Kurtin

Një rishikim të gjithë asaj çfarë është ndërtuar nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka paralajmëruar Armend Muja, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, nëse kjo parti merr pushtetin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sipas tij, nëse Albin Kurti i VV-së bëhet kryeministër temat si Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe ndarja e territorit të Kosovës marrin fund.

“Për dialogun me Serbinë, e para që duhet të bëjmë është ta rimendojmë për 10 vitet e fundit. Të bëjmë një hap prapa. A ka dialoguar Kosova nga viti 2012 e deri tash? Cilat janë të arriturat? E dyta, ky dialog ka qenë me agjendë të Vuçiqit dhe Daçiqit. Ka qenë për Asociacionin dhe ndarjen e Kosovës. plotësisht agjendë që ka kërkuar Serbia. Duhet të ketë zhvendosje edhe këtu, e të flitet në suaza të dy shteteve të barabarta. E treta, te marrëdhëniet ekonomike – ishte kancelarja Angela Merkel që e njihte reciprocitetin si parim. Ka 4-5 fusha ku Kosova ishte dëmtuar në aspektin ekonomik. Asociacioni, ‘Zajednica’, ndarja përfundojnë me Albin Kurtin. Ardhja e Kurtit është fundi i tyre. I gjithë dialogu duhet të bazohet mes dy shteteve të barbarta”, ka thënë ai.


Akuzat për korrupsion, Muja: Jam i pafajshëm, gjykata mbylli rastin

Muja ka folur edhe për aktakuzën e para disa kohëve kur nuk ishte pjesë e VV-së. Ai është akuzuar për korrupsion, por sipas tij, kjo çështje është mbyllur nga gjykata në mungesë fakteve.

“Mendoj se ka qenë një montazh i dobët i partive të pushtetit, kemi qenë bashkëpunues, nuk është se ne kemi shkuar me mbyll Task-Forcën apo për të kërcënuar Prokurorinë. Unë jam shpallur i pafajshëm, ne kemi qenë si grup, ka pasur një aktvendim, që gjykata e ka nxjerrë se nuk është i bazuar. Mendoj se gjykata e ka thënë fjalën e vet. Në një shtet të ç’kapur kushdo që ka dyshimin më të vogël, unë jam këtu”, ka thënë Muja.

Muja, si ish-zyrtar i Agjencisë Kosovare për Akreditim akuzohej për shpërdorim të pozitës zyrtare me pretendimin se kishte marrë ryshfet për të akredituar programe të ndryshme të kolegjeve vendore. Rasti ndaj tij u parashkrua.

23:28

Muja flet për sfidat e qeverisë Kurti 2: Me të përfundon plaçka

Anëtari i ri i VV-së, Armend Muja, nuk e vë në diskutim fitoren e VV-së dhe zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër.

Ai në Interaktiv të KTV-së, foli edhe për sfidat që e presin Qeverinë Kurti 2. Po ashtu, tha se siç i quajti ai “forcat e errëta politike”, më nuk kanë as forcën e as guximin të tjetërsojnë vullnetin e popullit.

“Sfida kryesore do të jetë ndryshimi i mendësisë së qeverisjes, në aspektin politik për vite është krijuar një bindje. Pushteti është mbajtur me koncesione, lësho një asociacion atje dhe forcoje pushtetin. Lësho të mira shoqërore për përfitime individuale, pra ndryshimi i mendësisë duhet të ndryshojë. Qeveria s’duhet të shihet si instrument për pasurimin individual, plaçka shoqërore përfundon me Kurtin, çdo cent do të menaxhohet. Pastaj vjen rendi i e ligji, është pa në 50 ditët e Kurtit si kryeministër. Së bashku me Vjosa Osmanin janë parë si partnerët kryesorë ndërkombëtarë për luftimin e krimit e korrupsionit. Pastaj sfidë është edhe pandemia”, tha Muja.

23:20

VV-ja pret që të fitojë deri 58 për qind të votave

Armend Muja, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se lista e kësaj partie politike do të fitojë mes 55 dhe 58 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas tij, qëllimi prej 60 deputetësh, nga lista e Vetëvendosjes bashkë me iniciativën e Vjosa Osmanit, “është i arritshëm”.

Në Interaktiv të KTV-së ai është shprehur i bindur se kjo parti do të mund ta bëjë lehtë Vjosa Osmanin presidente. Ka thënë se “ndryshimi më 14 shkurt do të ketë jehonë të madhe edhe rajonale”.

“Do të kemi president dhe kryeministër që nuk prodhohen prej konjukturave biznesore, marrëveshjeve prapa shpinës, tuxharllëqeve, hajt pak Isa pak Kadria, por është mirë që po legjitimohen nga populli”, ka thënë ai për kandidaturat e Albin Kurtit për kryeministër dhe Osmanit për presidente.

23:14

Muja: Kurti do të jetë më i votuari, krenari e të gjithëve

Anëtari i ri i Vetëvendosjes dhe kandidati për zgjedhjet e 14 shkurtit, Armend Muja, vlerëson se populli po e pret me padurim zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Kurti do të jetë kryeministri më i votuar në historinë e demokracisë së Kosovës dhe se nuk ka rrezik që të mos lejohet të kandidojë për deputet, bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses.

“Albin Kurti që nga prilli është lideri i vetëm i preferuar, sot në rast se bëhet një përjashtim i tillë, kjo do të shkaktonte një traumë tjetër pas grabitjes së pushtetit që ndodhi. Fuqimisht jam i bindur, jo që do të jetë pjesë e listës, po do të jetë më i votuari në historinë e Kosovës. Kj është e rëndësishme me i dhënë legjitimitet reformës që njerëzit e presin, pa të kjo do të jetë e pamundshme. Do të jetë kryeministri më i votuar që ka prodhuar historia në Kosovë, do të jetë burim krenarie, për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej. Kurti e përfaqëson modelin e politikanit që është i dedikuar, nuk është i shantazhueshëm, nuk është kokulur, detyrimisht në të ardhmen mund të prodhojë një jehonë në gjithë rajonin”, ka thënë ish-analisti politik, Muja.

Ai ka thënë se as nga ana etike as juridike nuk do të mund t’i mohohet Kurtit të kandidojë.

“Gazi për çka u dënua Kurti, u përdor në atë kohë për të penguar Zajdenicën për çka edhe Kushtetuesja doli të jetë kundër, kjo është morale, dënimet duhet të klasifikohen qartë. Po ashtu nëse shohim Kodin e Vjetër Penal, dënimi me kusht është vërejtje, jo dënim, kjo është juridike”, tha Muja.

23:02

Muja: Kosova ka dy oferta, Kurtin e Osmanin në njërën anë dhe asistentët e Thaçit dhe Mustafës në tjetrën

Anëtari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë përballë dy oferta. Sipas tij, në njërën anë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si liderë të listës së Vetëvendosjes dhe në anën tjetër asistentët e ish-presidentit Hashim Thaçit dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

“Mendoj që Albin Kurti është oferta më e mirë që i është ofruar Kosovës. Sot janë dy oferta, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin dhe në anën tjetër kemi asistentët dhe njerëzit më të besueshëm të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. E dimë njërën anë çfarë ka ofruar që 20 – 30 vjet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.