Arbëri

Koha për ta prishur rrethin vicioz të së kaluarës

Koha për ta prishur rrethin vicioz të së kaluarës
 

Argumentim për një strategji gjithëpërfshirëse për t’u marrë me të kaluarën, që e ka në qendër qytetarin

Qytetarët e Kosovës me përkatësi të ndryshme etnike besojnë se është koha që Kosova të dalë me një strategji për një qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse për t'u marrë me të kaluarën. Megjithatë, secili grup i ka prioritetet e veta që jo domosdo përputhen. Të gjitha shqetësimet duhet të adresohen në një strategji gjithëpërfshirëse në mënyrë që Kosova të mund të shkojë drejt një të ardhmeje paqësore. Këto janë të gjeturat nga hulumtimet e kryera nga shoqëria civile e Kosovës.

Pas 21 vitesh nga konflikti i dhunshëm, Kosova ende nuk ka kornizë gjithëpërfshirëse për t'u marrë me të kaluarën e saj, gjersa shoqëria kosovare vazhdon të vuajë nga çështjet e trashëguara pazgjidhura të luftës 1998-99 dhe pasojat e saj. Çështjet e pazgjidhura të konfliktit të dhunshëm në Kosovë vazhdojnë t’a dominojnë diskursin politik në Kosovë dhe në Serbi. Kjo po vazhdon t’a pengojë mundësinë e qytetarëve të Kosovës për t’u pajtuar me të kaluarën dhe për të shkuar drejt një të ardhmeje paqësore. Më e rëndësishmja, këto të trashëguara vazhdojnë të shërbejnë si burim grindjesh në mes të grupeve etnike në Kosovë dhe shpesh përdoren për agjenda politike. Tash është koha e duhur për t’a prishur këtë rreth vicioz të së kaluarës.