Arbëri

Në listat e deputetëve, tre të dënuar me vendim të formës së prerë

Prishtinë, 17 Janar - Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë tre persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje janë të dënuar me kusht që nga shtatori i 2018-s për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancë të Kuvendit, si dhe Milan Aritonoviq nga Lista Serbe, i cili është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga e hëna e javës së ardhme e deri më 20 janar do t’i verifikojë listat e partive politike që potencialisht kanë kandidatë me dënime të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Në rast se KGJK-ja gjen se këta të tre dhe persona të tjerë kanë dënime të plotfuqishme, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Kandidatët që rezultojnë se kanë pasur dënime gjatë kësaj periudhe kohore, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të certifikohen. KQZ obligohet që ta zbatojë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi ka karakter të normës juridike kushtetuese - në momentin që shpallet në gazetën zyrtare hyn në kuadër të ligjit të aplikueshëm”, ka thënë Shala.

Duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KGJK-ja, me kërkesë të KQZ-së, përveç të dënuarve në tre vjetët e fundit, do të verifikojë nëse ka edhe nga ata që kanë dënime plotësuese për moskandidim ose edhe nga ata që ushtrojnë profesionin e gjyqtarit dhe gjenden në listën e ndonjë partie.

Megjithatë, partitë të cilave nuk u certifikohen kandidatët, kanë mundësi të ankohen deri në Gjykatë Supreme. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 1 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

“Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.

Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar të flasin nëse do t’i ndjekin procedurat ligjore deri në mundësimin e kandidimit të Kurtit apo nëse atë do ta zëvendësojnë me një emër tjetër në listë.

Përveç personave të dënuar, në listat e deputetëve ka edhe shumë të tjerë që kanë aktakuza të ngritura. Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në listat zgjedhore janë të përfshirë 25 persona me aktakuza. Vetëm në listën e Lëvizjes Vetëvendosje janë 10 persona me aktakuzë, shumica prej tyre për përdorim të gazit lotsjellës në seancë të Kuvendit e disa prej tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Për vepra të ngjashme edhe në listën e AAK-së figurojnë tetë persona me aktakuzë aktive. Në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, janë pesë 5 persona me aktakuza për veprat penale, sulm, keqpërdorim i autoritetit zyrtar dhe deklarim i rrejshëm i pasurisë. Në listën e LDK-së, është një kandidat i cili ka aktakuzë aktive, pasi ai është liruar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo ndaj tij akoma nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë. Kurse, në listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, gjendet një person me aktakuzë për nxitje të urrejtjes racore, etnike e fetare.