1 perditesime
Arbëri

Ujësjellësi: Rikthehet me kapacitet minimal uji në lagjet që furnizohen nga Badovci

Ujësjellësi: Rikthehet me kapacitet minimal uji në lagjet që furnizohen nga Badovci
Foto: Driton Paçarada / KD
12:59

Ujësjellësi: Rikthehet me kapacitet minimal uji në lagjet që furnizohen nga Badovci

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar në mesditën e së shtunës se është rikthyer në punë impianti i trajtimit të ujit nga liqeni i Badovcit. Megjithatë, sipas njoftimit, kapaciteti i ujit për lagjet e prekura do të jetë minimal.

Siç ka thënë KRU “Prishtina”, në lagjet që kishin mbetur pa ujë që nga e premtja si pasojë e turbullirës në Badoc, është kthyer furnizimi “sado pak me ujë nga linjat tjera”.

Megjithatë, zonat e larta do të mbesin pa ujë.

Pa ujë të pijshëm janë shumica e zonave që furnizohen me ujë: Graçanica, Hajvalia, Veteniku, Mati 1/Matiqani (pikat e larta) dhe Bregu i Diellit.

Ujësjellësi tutje ka thënë se në varësi të mundësive do të ngritë kapacitetin trajtues, ndërsa ka paralajmëruar se rikthimi i furnizimit për shumicën e zonave pritet pas orës 15:00.

Të premten, Ujësjellësi kishte njoftuar se është detyruar të zvogëlojë prodhimin/trajtimin e ujit në fabrikën e trajtimit të ujit në Badovc, duke lënë pa ujë një pjesë të madhe të kryeqytetit. Qytetarë të shumtë kishin reaguar ndaj këtij njoftimi të Ujësjellësit. Shumë prej tyre kërkonin që të lëshohej uji i turbullt të paktën për nevoja higjienike. Madje disa ishin ankuar se këtë ujë nuk e përdorin kurrë për ujë të pijes. Këtu kishte reaguar edhe Ujësjellësi duke e cilësuar “shpifje” deklarimin e qytetarit se “uji i Ujësjellësit nuk pihet edhe kur e pastroni”.

10:57

Turbullira në Badovc lë pa ujë disa lagje në kryeqytet

Niveli i lartë i turbullirës në liqenin e Badovcit dhe pamundësia e Ujësjellësit “Prishtina” për trajtim me kapacitet maksimal ka bërë që disa lagje në Prishtinë të mbesin pa furnizim me ujë të pijes, që nga e premtja në mbrëmje.

Siç ka njoftuar zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku, ekipet teknike janë në terren dhe në fabrikë duke u munduar të bëjnë zgjidhje alternative për lagjet që furnizohen nga Badovci.

Gjendja pritet të mbesë e tillë edhe për tre ditë, ka paralajmëruar ajo, duke shtuar se “kjo megjithatë nuk varet nga ne”.

Të premten, Ujësjellësi kishte njoftuar se është detyruar të zvogëlojë prodhimin/trajtimin e ujit në fabrikën e trajtimit të ujit në Badovc.

Niveli i liqenit të Badovcit, pas reshjeve të fundit, është ngritur për tri metra.

Lagjet e prekura nga mungesa e ujit janë Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Matiqani, Bregu i Diellit, pastaj pikat e tjera të kryeqytetit si: Tophanja, Dardania, Ulpiana.

Janë prekur edhe qyteti i Fushë-Kosovës dhe Obiliqi.

“Niveli i lartë i turbullirës e bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë”, thuhej në njoftim.