Sami Kurteshi dhe Alim Rama, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga LVV-ja, kanë thënë se reagimi i KQZ-së të enjten lidhur me aplikacionin online, nuk është reagim i Komisionit.
Ne, shkruan Kurteshi në Facebook, “me përgjegjësi ligjore deklarojmë se, as kemi qenë të njoftuar, sikur edhe disa anëtarë të tjerë të KQZ, as të konsultuar në lidhje me ndonjë reagim të KQZ për çfarëdo çështje, e as për çështjen e lartëcekur”.
Të enjten, KQZ-ja ka reaguar përmes Facebookut se aplikacioni online që po qarkullonte lidhur me votat e mërgimtarëve, është i paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të gjithë ata/ato që aplikojnë përmes këtij aplikacioni nuk janë duke paraqitur aplikimin e tyre në KQZ për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. KQZ njofton qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës dhe të cilët plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, që aplikimin e tyre ta bëjnë vetëm përmes mënyrës së përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke ndjekur hapat e publikuar në ueb faqen tonë zyrtare”, thuhej në reagimin e Komisionit.
Kurteshi ka thënë se asnjë mbledhje paraprake nuk është mbajtur për këtë çështje, ndërsa shton se ky aplikacion ndihmon në mobilizimin e votuesve mërgimtarë.
“Ne konsiderojmë dhe konstatojmë se ky aplikacion ndihmon në mobilizimin e votuesve/bashkatdhetarëve, që jetojnë jashtë Kosovës, ofron informata si të plotësohet formulari i KQZ-së për aplikim, cilat dokumente duhet bashkëngjitur dhe asiston nëse dikush ka nevojë me shtypë formularin e KQZ-së me informata bazike: emër, mbiemër dhe adresa ku jeton”, shkruan ai tutje.
Kurteshi ka ftuar mërgimtarët të aplikojnë për votim, ndërsa reagimi i djeshëm të KQZ-së thotë se “dëshmon për marrëveshje të fshehta grupore të disa anëtarëve të KQZ nga partitë e stërvjetëruara, është përpjekje për dekurajim të mërgimtarëve për votim, është absurd, i kundërligjshëm dhe i dëmshëm”.