Autoritetet shqiptare kanë evakuuar 55 migrantë sirianë pasi ishin bllokuar për orë të tëra në ujërat e ashpër në detin Adriatik në një përpjekje për të arritur në Itali, njoftoi Policia të shtunën.
Sirianët, përfshirë gra dhe fëmijë, u bllokuan nga moti i keq për më shumë se tre orë në një anije jashtë vijës bregdetare të Shqipërisë në Adriatik të premten, tha Policia e qytetit të Vlorës.
"Operacioni i shpëtimit dhe evakuimi i njerëzve u zhvillua në kushte shumë të këqija në mes të një stuhie dhe valësh të larta në det", thuhet në deklaratën e policisë.
Gjashtëmbëdhjetë nga pasagjerët e anijes, përfshirë tre fëmijë, u shtruan në spital, ndërsa të tjerët pritet të dërgohen në një qendër migrantësh.
Shqipëria është një vend kryesor tranzit për shumë migrantë dhe refugjatë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët po përpiqen të arrijnë në Evropën Perëndimore përmes të ashtuquajturës rruga Ballkanike.
Pavarësisht nga pandemia, numri i migrantëve që kalojnë nëpër Shqipëri është trefishuar në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë, tregojnë të dhënat e policisë. \ Rel