Arbëri

IKSHPK-ja s’i pranon rezultatet e testeve rapide në Prishtinë, shfrytëzohen vetëm për hulumtime

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Mënyra e testimit është e ngjashme me atë të metodës PCR që bëhet në Institucionin Kombëtar të Shëndetësisë, por përparësi e testit rapid është se brenda 20 minutave qytetarët mund ta marrin rezultatin në formë të shkruar.

Ka rreth 2 javë që Komuna e Prishtinës ka filluar të realizojë testet e shpejta, e cila konsiderohet se është shumë e sigurt dhe mënyra më e shpejtë që pacientët të kuptojnë nëse janë apo jo të infektuar me virusin Covid.

Testi rapid është falas dhe bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kalabria”. Për ta bërë atë duhet udhëzim nga mjeku familjar.

Procedurën e këtij testimi e ka shpjeguar më në detaje edhe laboranti i biokimisë, Nezir Metolli, i cili tha se saktësia e tyre është 98.5 për qind.

“Deri më sot kemi punuar me test PCR, i cili është një test molekular, tash kemi filluar me testin rapid. Përparësia është se ky test punohet shumë shpejt, kërkohet antigjeni i virusit dhe për këtë arsye punohet shumë shpejt. Pra më së shumti për 20 minuta del rezultati pasi të merret me tampon”, ka thënë laboranti Metolli.

Ky test, i cili ka qenë iniciativë e mëhershme e Komunës, po konsiderohet se do të kontribuojë në uljet e përhapjes së virusit korona.

Kështu ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, duke shtuar se ky lloj i testimit ka filluar për ta lehtësuar mbingarkesën e madhe të testimeve në IKSHPK.

“Për shkak të mbingarkesës së madhe dëshira jonë dhe vullneti ishte ta lehtësojmë pak nivelin qendror dhe t’ua mundësojmë qytetarëve të kryeqytetit të realizojnë teste rapide antigjenike. Bëhen testime më masive në mënyrë që të kemi një numër më të madh të qytetarëve, të identifikuar në numër më të madh të rasteve pozitive, t’i dërgojmë në izolim dhe në këtë formë të kontribuojmë në ndërprerjen e përhapjes zinxhir të Covid-19. Dhe këtë ia kemi arritur, realisht realizojmë nga 100 deri në 150 testime brenda ditës me testet antigjenike”, është shprehur Gashi.

Megjithëse rezultatet e testeve rapide edhe kur janë pozitive nuk hyjnë në listën e atyre që çdo ditë nga ora 15 i publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Rezultatet pozitive të testit rapid nga niveli qendror do të shfrytëzohen vetëm për hulumtime të nevojshme.

“Kohë më parë, përmes rregullimit të bazës ligjore, Ministria e Shëndetësisë u ka krijuar mundësi Komunave, përkatësisht laboratorëve të QKMF-ve, që të kryejnë edhe testime rapide, sipas nevojës. Pra, në Kosovë është zgjeruar spektri i testimeve lidhur me COVID-19. Për MSH dhe IKSHP prioritet mbesin testimet molekulare (PCR), sepse ato vendosin diagnozën për COVID-19, ndërsa testimet e tjera plotësuese (serologjike, testime rapide) do të kryhen sipas nevojës, qoftë për të hulumtuar statusin imunologjik në popullatë lidhur me COVID, qoftë për të rritur fushën e testimeve dhe ofruar qytetarëve shërbimin më afër, siç po ndodh tani edhe përmes testimeve rapide. Më rëndësi është që qytetarëve po u ofrohen mundësi për testime në çdo nivel”, kanë thënë nga MSH-ja.

Në anën tjetër, qytetarët shprehen skeptikë sa i përket besueshmërisë së këtij testi.

Qamile Bilalli, e cila po pret në radhë për t’u testuar, thotë se nuk i beson asnjë mënyre të testimit, por nga halli nuk di nga t’ia mbajë.

“Jo hiq nuk po mendojmë, po nuk po kemi çka të bëjmë tjetër, se të besueshëm aspak. Dje e ka bërë vjehrra privat dhe është me simptoma po doli negativ. Nuk po i besojmë, por nuk kemi çka të bëjmë, diku po duhet t’ia mësyjmë”, ka thënë Bilalli.

Disa nga pacientët ankohen edhe për vonesa. Sevdije Borovci dhe Labinot Bajrami thonë se kanë më shumë se një orë duke pritur për t’u testuar.

Por, Metolli thotë se radhët po krijohen për shkak se numri i të interesuarve është shumë i madh, ndërsa testimi po kryhet vetëm në qendrën tashmë të dedikuar për Covid-19.

Deri të martën janë realizuar 1.325 teste, ku rreth 30 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.