Arbëri

Paralajmërohet rritje e rasteve me COVID-19

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi ka paralajmëruar rritje të numrit të të prekurve me koronavirus në Kosovë gjatë muajit janar.

Edhe pse thotë se nuk mund të bëhen parashikimi në këtë drejtim, ai shprehet i bindur se zbulimi i vaksinave do të mundësojë që të menaxhohet me këtë situatë.

“Tashmë as shkencëtarët botërorë nuk po kanë guxim për të bërë parashikime sa i përket ecurisë së mëtutjeshme të kësaj pandemie. Është fat i mirë që tani kemi vaksinën në përdorim dhe ka filluar të aplikohet në disa shtete dhe presim që edhe Kosova ta marrë atë shpejt dhe presim që vaksinimi të ulë trendin e kësaj pandemie. Megjithatë përderisa nuk e kemi vaksinën në përdorim dhe e kemi virusin prezent neve na mbetet vetëm t’i zbatojmë masat. Kështu që mund të jetë e pritshme që të kemi prapë faza të tilla të rritjes së numrit të pacientëve, por kjo do të varet nga aplikimi i vaksinës në vendin tonë”, ka thënë ai në një deklaratë për “Ekonomia Online”.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 53 mijë e 264 raste me COVID-19, ndërsa kanë vdekur 1368 persona. Janë edhe 6 mijë e 896 raste aktive.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka siguruar afro 2 milionë vaksina anti-COVID, me të parat që pritet të vijnë në muajin shkurt.