5 perditesime

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, është shprehur i bindur se liderit të kësaj partie, Albin Kurti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për deputetin Etem Arifi, nuk ia ndalon kandidimin për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

21:24

Konjufca: Qeveria Kurti s’u rrëzua për shkak të Amerikës, por për prishjen e çerdheve të hajnisë

mirë me thënë për shkak të Amerikës, apo për shkak të prishjes së hajnisë?” Kjo ka qenë kundërpërgjigja që Glauk Konjufca ka dhënë në Deskun e KOHËS kur është pyetur nëse Qeveria Kurti kishte prishur raportet me SHBA-në dhe se nëse kjo ishte arsyeja e vërtetë pse LDK-ja rrëzoi qeverinë.

“Ti e akuzon kundërshtarin politik në atë që mendon t’i shkaktosh pikë të dobët para popullit. Roli i SHBA-së - natyrisht që popullatën dëshiron ta deziorentosh. Por si është e mundshme kështu, po shkon po bën marrëveshje me Grenellin dhe po e bën një rrëzim të qeverisë për t’u ulur me Vuçiqin. Për këtë u rrëzua Kurti. Për t’u ulur në takim me Vuçiqin. Për të kuptuar thelbin politik të 25 marsit, e tregova. Kur e kemi nxjerrë korrupsionin PDK-së në KEK e kemi vazhduar në Telekom e të gjitha këto... duken të vogla, por në KEK tenderat janë shtatëshifrorë. Kur nisëm të prishim çerdhet e korrupsionit, për tre ditë PDK-ja u bë bashkë me LDK-në për të rrëzuar qeverinë”, ka thënë ai si arsye të brendshme për rrëzimin e Qeverisë.

Për aspektin ndërkombëtar, Konjufca ka ndërlidhur rrëzimin e Qeverisë Kurti me fushatën presidenciale të presidentit amerikan Donald Trump.

“Për aspektin ndërkombëtar, qeveria u rrëzua për një takim të Hotit me Vuçiqin. Po, për fushatë të fushatës së Trumpit, por po e tregoj motivin e vërtetë të Grenellit. E ka takuar Vuçiqin kur ka dashur. Ai ka mundur të takonte Kurtin dhe Qeverinë kur të donte, por ka dashur të takonte Kurtin e Vuçiqin me idenë se po përqafen e po kalojnë shumë mirë. Në kuptimin ndërkombëtar. Si është e mundshme që nëse VV-ja ka dëmtuar raportet me SHBA-në, pse sondazhi nxjerr 50 për qind. Populli po e vendos Kurtin si lider të pakontestueshëm, pse s’dhezi kjo? Sepse qytetarët janë të vetëdijshëm politikisht. Askush s’e lëviz bashkëpunimin me SHBA-në”, ka shtuar ai.

21:06

Konjufca: Gjasat që në koalicion me ne të jenë PDK-ja, LDK-ja apo AAK-ja janë shumë të vogla

Anëtari i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, derisa është pyetur për vijat e kuqe me subjektet politike të tjera që mund të kenë për krijimin e qeverisë së re, ka thënë se gjasat për një gjë të tillë janë të vogla.

Sipas tij, bashkëpunimi me këto parti nuk është i mundshëm jo sepse VV-ja ka vija të kuqe, por se kështu e thotë vullneti i qytetarëve.

“Gjasat që të jetë në qeverinë e ardhshme e cila mund të krijohet në mars, që PDK-ja, LDK-ja apo AAK-ja me qenë në qeverisje, mua më duken shumë të vogla. Kjo nuk është për shkak të vijave të kuqe, por për shkak të vullnetit të qytetarëve. Të trija janë njëjtë larg VV-së, aq larg sa mezi pritën të na rrëzojnë”, tha ai në DESKU të KTV-së.

20:57

Konjufca vlerëson se PDK-LDK i frikësohen ardhjes së VV-së në pushtet

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike i frikësohen ardhjes së mundshme të VV-së në pushtet.

Sipas tij, këto parti mendojnë vetëm se si të shmangin ardhjen e Albin Kurtit në pushtet sepse, siç ka deklaruar ai, “ata e kanë pasur rehatinë përmes kapjes së drejtësisë”.

“Këta e gjejnë gjuhën e përbashkët shpejt që Albin Kurti dhe Vetëvendosje të mos kenë kompetenca për të marrë vendime. Më duket se është kështu sepse çfarë veprimne kanë marrë kur kanë qenë në funksione të larta... Kanë frikë (nga ardhja në pushtet e VV-së). Sepse shumica e atyre që kanë qenë në këtë konglomerat PDK-LDK në qeverisje, gjatë të cilit pushtet janë vjedhur Dhomat e Provave, droga, ari nëpër institucionet më të sigurta e deri më 2020 kur u vjedh Thesari, mendoj se vazhdimisht ka pas këso qeverisje, fenomene, e skandale të tilla. Për shkak se institucionet që kanë qeverisur këta deri kur qytetari e ndryshoi më 2019... i shohin institucionet e shtetit si kalërim. Ata kalërojnë nëpër pozita publike. E kanë instaluar klientelizmin se kush është me ne ka përparësi”, ka deklaruar ai.

20:53

Konjufca i quan sundimtarë të ligjit PDK-në, LDK-në dhe AAK-në

Glauk Konjufca vlerësoi se në 10 vitet e fundit mbi ligjin janë partitë dhe liderët e tyre. Ai në veçanti iu referua partive të dala nga lufta dhe LDK-së. Konjufca i quajti sundimtarë të ligjit.

Konjufca i ftuar në emisionin Desku në KTV, tha se ka shumë shembuj për këtë.

“Në Kosovë ka sundimtarë të ligjit. Rastin më ilustrativ e kanë pa qytetarët me rrëzimin e qeverisë Kurti. Në fillim këta sundimtarët e ligjit, i qaseshin VV-së ju jeni margjinal, hajdeni në zgjedhje. Ku morëm pjesë në zgjedhje, i vodhën 37 për qind të votave. Ata të thonë hajde në zgjedhje dhe i manipulojnë ato. Më pas, më 2014, u krijua opozita e bashkuar (VV, LDK, AAK), por pas akrobacioneve të Isa Mustafës, LDK-ja doli nga ky bllok. Pra u pa që ishte për shkak të ambicieve për kryeministër, Mustafa e Haradinaj kanë bërë garë se kush po peshon më rëndë te Thaçi, Veseli e Limaj, se kush po e fiton karrigen e kryeministrit në atë kohë. Të dytë kanë qenë të gatshëm, por ne kemi qëndruar dhe kemi mbetur vetëm. Pas kësaj qytetarët kanë filluar të zhgënjehen me PDK-në dhe LDK-në dhe me 2017, VV-ja i ka fituar zgjedhjet, por PAN-i zbuloi ato taktikat që prapë t’i marrim zgjedhjet”, tha Konjufca.

Ai tha se kjo është bërë me qëllim dhe sipas tij, partitë tjera kanë vetëm një frikë.

“Frika e tyre e vetme është që Albin Kurti dhe VV-ja të mos marrin pushtetin. Për atë, e keni parë se sa shpejt gjejnë gjuhë të përbashkët kur është në pyetje VV-ja”, tha ai.

20:41

Konjufca: I vetmi bashkëpunim i garantuar deri tash është me Vjosa Osmanin

Anëtari i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se i vetmi koalicion parazgjedhor i garantuar deri tash është me iniciativën politike të Vjosa Osmanit dhe me asnjë subjekt tjetër politik.

“LVV e ka shpjeguar me transparencë para opinionit jo vetëm tash, që i vetmi bashkëpunim i garantuar politik deri sot është me zonjën Vjosa Osmani dhe alternativën e saj politike që e ka prezantuar, rrugën që e ka zgjedhur të pavarur nga LDK-ja, deri tash dorën ia kemi zgjatur asaj dhe jo subjekteve tjera politike”, tha ai.

Konjufca në DESKU të KTV-së tha se ende nuk është konkretizuar diçka mes partisë së tij e Osmanit, por se ka një lloj reciprociteti mes tyre.

“Ajo e ka shprehë vullnetin e saj se do bashkëpunojë me LVV-në, ka një lloj reciprociteti mes VV-së dhe Vjosa Osmanit që të ketë bashkëpunim që nuk e përjashton kandidimin tonë në një listë të përbashkët”.

“Në aspektin elektoral nuk e kemi pasë asnjë takim konkret për ta formalizuar”.

Ai shprehet se varet nga Osmani nëse do të dalin me një listë të përbashkët zgjedhore, e që le të nënkuptohet se më të do të krijohet një front i përbashkët për ndryshime politike.

“Varet nga zonja Osmani, jemi të hapur për cilindo skenar që ndodhë sepse në këto zgjedhje ajo që është kryesore pritet t'i fitojë në mënyrë dërrmuese LVV-ja. Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë janë të mendimit që duhet të krijohet një front i përbashkët demokratik e politik për ndryshime të mëdha sociale dhe rrënjësore politike”, ka thënë Konjufca.

20:36

VV-ja e bindur se Kurti do ta udhëheqë listën e partisë në zgjedhje

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, është shprehur i bindur se liderit të kësaj partie, Albin Kurti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për deputetin Etem Arifi, nuk ia ndalon kandidimin për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse Kushtetuesja vendosi se personat e dënuar për vepra penale me vendim të prerë nuk mund t’i hyjnë garës zgjedhore – e të dënuar për vepra penale janë edhe anëtarët e VV-së Albin Kurti e Albulena Haxhiu – Konjufca ka thënë se vepra për të cilën ishte dënuar Kurti ishte në kohën e Kodit të vjetër Penal dhe dënimi i tij ishte me kusht duke përjashtuar ndërlidhje me dënimin efektiv ndaj deputetit Arifi.

“Kushtetuta ia garanton Kurtit që ajo që iu ka shqiptuar përmes veprës së tij, që kategorizohet si dënim me kusht, për këtë Albin Kurtit edhe po të çohet krejt bota nuk mundet me ia ndalu të kandidojë për deputet. Jam shumë i bindur për këtë. Kanë qejf me ia ndalu, po s’munden”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Ai po ashtu tha se aktgjykimi i Kushtetueses është “vepër” e atyre që nuk kanë më çfarë të ofrojnë, pos siç tha ai “mjegull”

“Kjo çështje është ngritur prej atyre që duan të ngrenë mjegull, i kanë humbur të gjitha mjetet tjera, pos mjegullës. Humbën legjitimitetin, e humbën një qeveri përmes së cilës e rrëzuan Qeverinë Kurti, e humbën përmes kushtetueses edhe këtë pushtet. Po ta studiojmë opinionin i kanë humbur edhe zgjedhjet e ardhshme dhe tash e kanë një metodë për ta luftuar VV-në, shpërndarjen e frikës te qytetarët që t’i ç’orientojnë ata. Vendimi i Kushtetueses nuk do të ketë kurrfarë pasojash, pos zgjedhjeve të reja”, ka thënë Konjufca.

“Struktura e veprave penale është shumë qartë e shpjeguar në Kodin Penal të RKS-së, sa herë e shqiptojmë fjalën vepër penale, nuk mundesh me thonë nuk më intereson Kodi Penal, është parimi i ligjshmërisë. Çdo student që e ka kaluar vitin e parë në juridik e di që kjo është elementare”, ka thënë ai.

Konjufca tha se dënimi me kusht, gjoba dhe shqiptimi i vërejtjes gjyqësore nuk kanë sanksione juridike.

“Personi që është dënuar për këtë vepra nuk mundesh me ia ndalu asnjë të drejtë, këtë s’mund ta bëjë as Kushtetuesja, përveçse kur të shqiptohet dënim tjetër plotësues që ta cenon të drejtën në mënyrë eksplicite”, tha ai.