Arbëri

Radhë të gjata për testim në sheshin “Zahir Pajaziti”

Radhë të gjata të qytetarëve janë parë duke pritur për t’u testuar nga IKSHPK-ja në tendën që ka vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Pavarësisht pranisë së policisë, në radhën e gjatë është vërejtur edhe mungesë e distancës fizike.

Mbi 400 persona janë testuar për vetëm dy orë e gjysmë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramdani, ka njoftuar se 30 dhjetori e shënon fundin e aksionit dyditor të testimit në shesh, ndërsa ka shtuar se tenda të tilla mund të vendosen në vende të tjera.

“Po hymë në vitin 2021 dhe sipas indikacioneve epidemiologjike (tendat) do të vendosen aty ku do të mbulohet shërbimi për çdo qytetar. Por, pa marrë parasysh këtë po ju them edhe një herë, ekipet tona janë në vazhdimësi në terren”, ka thënë drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

Por numër i vogël i qytetarëve janë parë duke pritur për testim në afërsi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Disa nga ta kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar se mund të testoheshin edhe në shesh.

Ramadani ka thënë për KOHËN se testimi në shesh është në përputhje me strategjinë e IKSHPK-së për testim të sa më shumë personave që kanë nevojë.

Shtatë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë.

Instituti ka njoftuar se nga testim i 1181 personave kanë rezultuar pozitivë 234 raste të reja.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 564 pacientë. Ndërsa 8825 është numri i rasteve aktive.

IKShPK po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të testohen në SARS-CoV-2, duke njoftuar se testimet vazhdojnë në IKShPK dhe në të gjitha qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë.