Arbëri

BE-ja do të sigurojë dozat e para të vaksinave edhe për Kosovën

BE-ja do të sigurojë dozat e para të vaksinave edhe për Kosovën
Foto: Reuters
 

Fushata e vaksinimit ka nisur në të gjitha shtetet anëtare të BE-së me një sasi shumë të vogël të vaksinave të prodhuara nga BioNTech/Pfizer, e vetmja e cila deri më tash ka marrë autorizimin e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve (EMA). Pos vendeve të BE-së nga vendet evropiane vaksinat i kanë siguruar dhe futur në përdorim edhe Britania e Madhe, Zvicra dhe Serbia, të cilat kanë pasur kontrata individuale me prodhuesit. Por vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë ngelur në pritje dhe ende nuk e dinë datën se kur mund të nisë vaksinimi.

Kosova, si vendi më i varfër i rajonit, pritet të marrë një sasi të vaksinave falas. Por gjasat janë që ato të jenë vaksinat e Universitetit të Oxfordit dhe kompanisë “AstraZeneca”, të cilat nuk mund të shiten për qëllime komerciale, pra do të kenë një çmim simbolik. Sipas një tabele me çmime, të cilat i ka negociuar Komisioni Evropian me prodhuesit, e i cili pa qëllim ka rrjedhur në opinion, vaksinat e “AstraZenecas” do t’i kushtojnë BE-së vetëm 1,8 euro për dozë, që është shumëfish më pak sesa vaksinat e prodhuesve të tjerë. Po ashtu për këtë vaksinë ende nuk është dhënë leja për përdorim nga autoriteti rregullativ i BE-së. Më 6 janar pritet që nga BE-ja autorizimin ta marrë edhe vaksina e kompanisë “Moderna”, që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. BE-ja po ashtu ka bërë thirrje që për prodhuesit e vaksinave të mos ketë kufizime për eksportimin e tyre jashtë vendit ku ato prodhohen.