3 perditesime
23:36

Abrashi: AAK-ja do të jetë në qeveri, tani luftohet për 80 deputetë

Deputeti Gazmend Abrashi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se AAK-ja do të jetë në qeveri, megjithatë mbetet të shihet se në çfarë kombinime dhe me kënd.

Abrashi thotë se ambiciet e AAK-së janë që të ketë rritje deri në 18 për qind.

“Do të jetë mjaft e vështirë me i përcjell argumentet, megjithatë e kemi një strukturë të konsoliduar, ne e dimë ku e kemi votuesin, ai është tradicional. Votuesi i AAK-së nuk është fluid që është parametër shumë i mirë. Dy elemente janë: njëri si të ruash bazën që e ke, dhe tjetra si ta rrisësh”, ka thënë Abrashi. “I kemi dhënë shumë argumente që ta kërkojmë votën e qytetarëve. Ato rezultate që po i shoh në media janë vetëm spekulime, dhe sovrani do t’ia tregojë vendit secilin. AAK-ja do të jetë një befasi e këndshme, në aspektin pozitiv”.

Ai thotë se më 2021 koalicioni qeverisës duhet t’i ketë 80 deputetë, pasi do të zgjidhet edhe presidenti dhe shumë çështje të tjera duhet të shkojnë përpara.

“Besoj që po hyjmë me një pozitivitet të madh në këtë votim, nuk do të jetë lehtë, por e kemi kuptuar se zgjedhjet e vitit 2021 nuk bëhen për 61 deputetë, por neve na duhen 81 deputetë. Qeveria e ardhshme duhet t’i ketë të paktën 80 deputetë, apo 75 së paku pa Listën Serbe”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se AAK-ja nuk ka vija të kuqe me askënd dhe nuk e di më kë do të jetë në koalicion.

“AAK-ja është njëri nga partitë që nuk i ka vendos vija të kuqe askujt dhe bashkimi i forcave e japin një mundësi që me e udhëheqë shtetin. Nuk do të isha marrë me spekulime se me kë do të jemi në koalicion. Do të hyjmë të vetëm, por më pas do të ulemi të bisedojmë. Tash është lufta për 80 deputetë dhe në të gjitha kombinimet e shoh AAK-në që do të qeverisë, por me çfarë formacioni dhe me kënd nuk e di”, ka thënë Abrashi.

Abrashi beson se fakti që Aleanca qe partia e parë që publikisht shpalli kandidaturën e Ramush Haradinajt, është tregues se ky i fundit do jetë president i Kosovës.

“AAK-ja ka qenë partia e parë që e ka kuptuar rëndësinë e nominimit të presidentit marrë parasysh aspektet kohore. Haradinaj është figurë më unifikuese, që ka një biografi, njeri që vlerat e luftës nuk mund t’i kontestoj askush, e ka ruajtur integritetin territorial të Kosovës. Ish-kryeministri Haradinaj do jetë edhe president nga vetë fakti që kemi qenë të parët që e kemi nominuar”, ka thënë ai.

“Besoj që figurë më emblematike si Ramushi nuk kemi”, shprehet Abrashi.

23:29

Sipas Abrashit, në pesë muajt e parë të 2021-s qytetarët do të paguajnë më pak për energji elektrike

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka thënë se përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike qytetarët do të paguajnë më pak për energjinë elektrike në 5 muajt e parë të 2021-s.

Duke dhenë detaje për amendamentet e përfolura, të propozuara nga ai për këtë ligj, Abrashi ka thënë se në nenin 15 parashihet ulja e vlerës së faturave të energjisë elektrike.

“Fondi për burimet e ripërtërishme konsiston që të gjithë qytetarët, amvisëritë dhe industritë do të lirohen nga taksa e burimeve të energjisë së ripërtërishme... Faturat e energjisë elektrike do të jenë dukshëm më të reduktuara. Kjo është më e pakta që kemi mundur të bëjmë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur për vlerën totale që mund të ketë ky amendament, Abrashi ka thënë se ajo sillet mes 6 dhe 7 milionë euro.

23:15

Abrashi: Bizneset kanë pësuar më shumë gjatë pandemisë, qeveria t’i ketë në fokus

Deputeti i AAK-së Gazmend Abrashi ka thënë se bizneset kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë, për çka ka shtuar se kjo qeveri në detyrë dhe ajo që do dalë nga zgjedhjet do ta kenë në fokus komunitetin e biznesit.

Ai ka thënë se kërkesat e PDK-së lidhur me buxhetin e vitit 2021 do të shqyrtohen dhe që ai të miratohet.

“Si ish qeveri jo vetëm PDK por edhe VV dhe të tjerat do të vetëdijesohet që të kuptojnë se ky dokument pa marrë parasysh kush udhëheq vendin duhet të kalohet sepse mos kalimi mund të krijojë një krizë me pasoja katastrofale”, tha ai.

Abrashi thotë se do mundohen të gjejnë forma të adaptojnë kërkesat e qytetarëve.

“Në komision për buxhet i kemi analizuar të gjitha mundësitë financiare, besoj që do gjejmë forma që t’i adaptojmë kërkesat të qytetarëve me fokus të posaçëm në komunitetin e biznesit, marrë parasysh se komuniteti i biznesit ka pësuar më shumë nga shkurti”, tha ai.

“Besoj se kjo qeveri dhe e ardhmja do jetë ajo që do fokusoj interesin e vet në përkrahjen e komunitetit të biznesit pasi është i vetmi që në kontinuitet e ka mbushë arkën e Kosovës”, përfundoi ai.

23:06

Abrashi optimist se buxheti 2021 do të votohet para zgjedhjeve, AAK-ja kërkon të ndahen nga 100 euro për kokë banori

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se është optimist se buxheti për vitin 2021 do të votohet, pasi kjo është në të mirë të qytetarëve.

Abrashi thotë se zgjedhjet me gjasë do të mbahen më 7 shkurt 2021.

“Kushtetuesja është autoriteti më i lartë në vend, çdo vendim i saj duhet të implementohet. Ajo çfarë është e qartë është se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do t’i kemi më 7 shkurt 2021”, ka thënë Abrashi.

Ai thotë se është për t’u përkrahur iniciativa e parlamentit për miratimin e buxhetit dhe deputetët duhet të vetëdijësohen për këtë.

“Kemi rënie prej 300-350 milionë në të hyrat e buxhetit të Kosovës. Projektvotimi i buxhetit të vitit 2021 është dokument prioritar dhe besoj se ky dokument do të votohet. Një prej amandamentimeve me siguri do të jetë 100 euro për kokë të banorit. Gjegjësisht 500 euro për familje”, ka thënë Abrashi. “Besoj që jo vetëm PDK-ja por edhe VV-ja do të vetëdijësohen se ky dokument pa marrë parasysh se kush do të udhëheq është dokument që duhet të kalojë sepse moskalimi i tij mund të jetë me pasoja katastrofale. Kosova edhe ashtu është në një moment katastrofal. E shoh një disponim te kolegët deputetë që ky të kalojë pa marrë parasysh se kush i prinë Qeverisë”.