Arbëri

Sfiduese rruga deri në konstituimin e Kuvendit, Qeverisë e presidentit

Descriptive Text

Vonesat eventuale prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve deri në certifikimin e tyre, siç ka ndodhur në të kaluarën mund të prodhojnë një krizë tjetër institucionale.

Pas rënies së qeverisë, me shpalljen e zgjedhjeve të reja, bëhet jofunksional edhe Kuvendi.

Pas katër muajsh vendi mbetet edhe pa president - që është organi legjitimues i institucioneve të cilat do të dalin pas zgjedhjeve.

Ushtruesja e detyrës së presidentes nuk mund ta ushtrojë këtë post më shumë se gjashtë muaj. Vjosa Osmani e ka marrë detyrën më 5 nëntor pas dorëheqjes së presidentit Thaçi.

Njohës të rrethanave thonë se Kushtetuesja është dashur ta publikojë sa më shpejt aktgjykimin në mënyrë që të arrihen afatet kushtetuese për konstituimin e organeve të reja.


“Pra, është më se e qartë se tashmë vendi është në procedurë të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ajo çfarë po mungon para se të lëshohet dekreti është që Gjykata Kushtetueses ta publikojë vendimin pasi nuk ka nevojë për vonesa të tilla. Gjykata do të duhej që brenda një afati sa më të shpejtë kohor ta publikojë vendimin në mënyrë që ushtruesja e detyrës së presidentes të ketë mundësi që të shpallë datën e zgjedhjeve, meqë tani nuk ka nevojë për asnjë procedurë tjetër”, thotë Eugen Cakolli i KDI-së.

Ai shton se afati prej katër muajsh është i mjaftueshëm për zgjedhjen e institucioneve të reja, por vetëm nëse KQZ-ja tregohet më efikase në administrimin e zgjedhjeve.

“Ajo çfarë është karakteristikë e zgjedhjeve në Kosovë sidomos në proceset e fundit, më shumë kohë ka marrë certifikimi i rezultateve sesa gjithë përgatitja për organizimin dhe administrimin e tyre. Ta zëmë në vitin 2019 kemi pasur mbi 50 ditë vonesë deri në certifikimin e rezultateve, ndërsa zgjedhjet ishin shpallur pak më shumë se 30 ditë brenda afatit të përcaktuar”, shton Cakolli.

Të hënën në mbrëmje, Kushtetuesja e publikoi informatën për paligjshmërinë e votës së deputetit Arifi, por jo edhe aktgjykimin e plotë.

Në Kushtetuese kanë thënë se vendimi sapo të jetë gati për publikim, do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim në Gazetën Zyrtare.

E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars.

Më 30 nëntor, Qeveria e ka bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk është votuar ende.

“Është tepër e rëndësishme që të mos hyjmë në muajin janar pa buxhet të miratuar, sepse do të kemi vështirësi të panumërta, përfshirë këtu edhe rënien e të hyrave buxhetore”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Procedura për nxjerrjen e një ligji të ri të buxhetit do të merrte shumë kohë. Momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.