6 perditesime
19:05

Nisma, AKR-ja dhe Alternativa, të gatshme për partneritet me partitë e mëdha

Prishtinë, 23 dhjetor - Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i ka vazhduar konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve. Të mërkurën, Osmani ka takuar përfaqësuesit e Nismës, AKR-së, Listës Serbe, komuniteteve të tjera joshumicë dhe Alternativës. Përfaqësuesi i Nismës në takimin me Osmanin tha se janë për mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë. Por, kjo parti kishte një kërkesë tjetër për Osmanin.

“Kërkuam që të gjitha subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës të dakordohen që ta votojmë sa më shpejt buxhetin e Kosovës për 2021, që pastaj çfarëdo situate tjetër me të cilën do të ballafaqohen qytetarët e Republikës së Kosovës, në këtë rast me zgjedhjet, të mos jemi para një mundësie të bllokimit institucional”, ka thënë Endrit Shala pas takimit. Shala më tutje ka bërë të ditur se pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të definojnë nëse do t’i hyjnë garës si subjekt i vetëm apo do të bëjnë koalicion me ndonjë nga partitë e tjera.

Për dallim nga Nisma, AKR-ja ka mbetur të definojë vetëm me cilën nga subjektet do të bëjë koalicion. AKR-ja preferon bashkëpunimin me njërën nga partitë e mëdha.

“Jemi në diskutime brendapartiake, opsioni më i mundshëm është krijimi i koalicionit me një subjekt tjetër politik. Ende nuk kemi arritur deri tek ajo pikë, por besoj që brenda javës do të marrë epilog edhe kjo çështje”, ka thënë Jetlir Zyberaj nga AKR-ja.

Derisa kanë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, partitë nga komunitetet joshumicë janë të gatshëm për cilëndo datë që caktohet.

“Edhe ne jemi pajtuar edhe dakorduar kur të caktohet data e zgjedhjeve jemi të gatshëm të garojmë, të hyjmë në garë, edhe besoj që të ardhmen do të kontribuojmë për të mirën e Kosovës”, tha Fikrim Damka, një nga përfaqësuesit e partive joshumicë.

Bashkëpunimin me Vetëvendosjen, Mimoza Kusari nga Alternativa synon ta vazhdojë edhe në këto zgjedhje. Kjo meqë, sipas saj, kanë synime të përbashkëta.

“Bashkëpunimin që e kemi filluar me Lëvizjen Vetëvendosje besoj do ta vazhdojmë në zgjedhjet e radhës. Kësaj here uroj në një marrëveshje zyrtare në mes të subjekteve, jo të individëve, e cila do ta ketë synimin e përbashkët për ndryshime pozitive”.

Pas përfundimit të takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nuk kanë pranuar të deklarohen përfaqësuesit e Listës Serbe.

Një ditë më parë, Osmani ka takuar edhe përfaqësuesit e partive më të mëdha, derisa për caktimin e datës së zgjedhjeve është duke pritur publikimin e aktgjykimit të plotë të vendimit të Kushtetueses.

14:13

Kusari-Lila thotë se do ta vazhdojë bashkëpunimin me Vetëvendosjen

Takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin, ka zhvilluar edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

“Diskutuam për rrethanat e krijuara. Besoj që sa më shpejt duhet të shkojmë në zgjedhje. Kërkesa e qeverisë për buxhetin është jo e qëndrueshme”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës është përfaqësuar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë jam si përfaqësuese e Alternativës. Bashkëpunimin që e kemi me VV-në do e vazhdojmë. Kësaj radhe shpresoj me një marrëveshje zyrtare mes subjekteve”, tha Kusari-Lila.

13:34

Edhe Lista Serbe përfundon takimin me Osmanin, nuk deklarohet

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, zhvilloi takim edhe me Listën Serbe.

Por pas përfundimit të këtij takimi, këta të fundit nuk janë deklaruar fare për media.

Ky takim ishte edhe i fundit me partitë politike në kuadër të takimeve për konsultime rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme.

12:42

Damka nga 6+: Jemi të gatshëm për zgjedhje

Fikrim Damka nga Grupi 6+, pas takimit me u.d të presidentes, Vjosa Osmani, tha se janë të gatshëm për zgjedhje.

Shtoi se vendet i kanë të garantuara në Parlament, prandaj s'do të bëjnë koalicion.

“Edhe ne jemi pajtuar që kurdo që caktohet data e zgjedhjeve jemi të gatshëm. Ne i kemi vendet e garantuara andaj edhe nuk do bëjmë koalicion me ndonjë parti”, tha Damka.

12:05

AKR-ja paralajmëron koalicion me një nga partitë e mëdha

Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se partia që përfaqëson do të futet në koalicion me një nga partitë e mëdha për zgjedhjet e ardhshme.

Zyberaj pas takimit me u.d. presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne u pajtuam që data e zgjedhjeve të caktohet sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të evitohen edhe krizat e mundshme kushtetuese. Ende nuk e kemi vendosur, por gjasat janë që garës zgjedhore do t’i hyjmë në koalicion me ndonjë parti. Nuk e kemi vendosur me cilën, por do të jetë me njërën nga partitë më të mëdha”, tha Zyberaj.

Në zgjedhjet e fundit, AKR-ja doli në zgjedhje së bashku me Nismën në koalicion dhe mezi kaluan pragun zgjedhor prej 5 përqindësh.

11:29

Nisma s’ka vija të kuqe për asnjë parti

Nisma Socialdemokrate nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, ka deklaruar Endrit Shala nga kjo parti pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Ai ka thënë se kjo parti kërkon që para zgjedhjeve të votohet buxheti për vitin 2021, që të “mos jemi para mundësisë së bllokimit institucional”, teksa është shprehur se fillimi i muajit shkurt mund të jetë koha e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Shumica është që të garojmë e vetme... Nisma mund të bëjë koalicion me partitë e tjera. Nuk kemi vija të kuqe me askënd”, ka deklaruar Shala pas takimit.

08:13

Osmani vazhdon sot konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të vazhdojë edhe sot konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Osmani sot do të presë krerët e koalicionit Nisma-AKR në orën 11:00, ata të Grupit 6+ në orën 12:00, derisa në orën 13:00, ata të Listës Serbe.

Gjatë së martës, Osmani takoi liderë të partive kryesore në vend dhe nga këto takime dolën disa propozime për datën kur duhet të mbahen zgjedhjet e reja, si 31 marsi dhe 7 shkurti.

Zgjedhjet, sipas aktgjykimit të Kushtetueses, duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë pas shpalljes së datës nga u.d. presidentja Osmani.

Zgjedhjet, do të mbahen pasi Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Etem Arifit, i cili ishte një nga 61 deputetët që votoi Qeverinë Hoti.