Arbëri

Shpërblimet “Rexhai Surroi” për shkrimin e romanin që bëjnë bashkë realitetin dhe ëndrrat

Në një vit të vështirë shkaku i rrethanave të pandemisë, ceremonia e ndarjes së shpërblimeve ka vazhduar traditën për të 13-n herë. Fituese e sivjetshme e shpërblimit për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” është Shqipe Gjocaj me artikullin “Përdhunimi martesor ‘legjitim’ dhe i mirëqenë në Kosovë”. Kurse laureat i shpërblimit vjetor “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë, është shpallur shkrimtari Shkumbin Gashi, me romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”. Ikona e teatrit, Melihate Ajeti, është kujtuar nëpërmjet monografisë së shkruar nga e bija e saj Antigona Qena-Kaçaniku

Një artikull për dhunën që nuk shfaqet në publik, vepra letrare që bashkon ëndërrimtarët për një botë më të mirë dhe monografia e një ylli teatror që ndriçoi në kohë aspak të lehta, janë triptiku i ceremonisë së sivjetshme të shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”. Në një vit të vështirë shkaku i rrethanave të pandemisë, ceremonia e ndarjes së shpërblimeve ka vazhduar traditën për të 13-n herë. E mbajtur në studiot e Kohavisionit, transmetuar drejtpërdrejt, ceremonia ka bërë bashkë më të mirët e vitit në gazetari dhe letërsi.

Fituese e sivjetshme e shpërblimit për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” është Shqipe Gjocaj me artikullin “Përdhunimi martesor ‘legjitim’ dhe i mirëqenë në Kosovë”. Kurse laureat i shpërblimit vjetor “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar është shpallur shkrimtari Shkumbin Gashi, me romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”. Gjatë ceremonisë janë vënë në pah ngjarjet kryesore të sivjetshme. Monografia për aktoren me nam, Melihate Ajeti, e shkruar nga e bija e saj, Antigona Qena-Kaçaniku, dhe mesazhet e themeluesve të shpërblimeve, kanë rrumbullakuar ceremoninë që zakonisht është mbajtur në një sallë luksoze, kur pandemia nuk ishte pjesë e fjalorit të përditshëm.

Vaksina e tretë

Image

Shkrimtari e publicisti, Veton Surroi, ka thënë se vaksina e tretë është ajo që duhet ta shërojë organizmin kosovar nga kapja e shtetit, nga mungesa e unitetit politik, nga mosdefinimi i përparësive të ecjes së vendit në ekonomi, shëndetësi e arsim, nuk do të vijë nga jashtë


Ceremonia e së martës mbrëma është hapur me fjalimin historik të gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi, me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës. Me fotografi të tij në prapavijë, shikuesve u është drejtuar shkrimtari e publicisti, Veton Surroi.

Ai fillimisht ka folur për efektet e pandemisë. Ka thënë se virusi ka treguar se ekonomia e vendit varet në masë të madhe prej parave të diasporës.

“Ka treguar se ekonomia e vendit nuk është prioritet politik: vendi ka pësuar krizë të thellë politike përgjatë tërë vitit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk ka qenë as afër arsyeve për të. Nuk pati konfrontime politike për mënyrën se si të ndihmohet ekonomia për pandemi, por si të ndihmohet njëra parti apo njëra figurë politike për të dalë në prominencë”, ka thënë ai. Sipas tij, është treguar se midis të tjerash ekziston mungesë e plotë e sensit për politikë të jashtme si pjesë e një kontinuiteti e pjesë e një nevoje për konsensus shoqëror.

“Vendi ynë është i vetmi në Evropë sot që nuk ka sistem të sigurimit shëndetësor. Dhe vendi ynë është i pari në Evropë për nga analfabetët funksionalë – produkt i një sistemi tmerrësisht të dobët arsimor”, ka thënë Surroi, duke konstatuar se virusi ka nxjerrë në sipërfaqe sërish krizën themelore të vendit: shtetin e kapur. Por, pavarësisht të gjithave, sipas Surroit, janë dhënë dy lajme të mira dhe një paralajmërim që mund të çojë te lajmi i tretë i mirë. Ka përmendur vaksinën kundër koronavirusit dhe atë që e ka quajtur vaksina për organizmin transatlantik.

“Zgjedhjet në Amerikë e kanë prodhuar vaksinën e nevojshme që duhet të shërojë trupin dikur të shëndoshë të marrëdhënieve mes Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se që të dy këto vaksina janë shumë të nevojshme për trupin e sëmurë të Kosovës. Por, sipas Surroit, vaksina e tretë është ajo që duhet ta shërojë organizmin kosovar nga kapja e shtetit, nga mungesa e unitetit politik, nga mosdefinimi i përparësive të ecjes së vendit në ekonomi, shëndetësi e arsim, nuk do të vijë nga jashtë.

“Ajo duhet të prodhohet brenda vendit. Dhe nëse bëhet, nuk do të jetë në një laborator shkencor. Do të jetë produkt i një vale ndryshimesh demokratike që duhet ta kaplojnë vendin”, ka thënë ai.

Dhuna ndaj grave dhe primadona e teatrit

Për demokraci e liri ka kontribuar edhe laureatja e shpërblimit të sivjetmë “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar, Shqipe Gjocaj. Aktivistja e gazetarja ia ka dalë që të nxjerrë në pah një temë që ka qenë larg publikut. Është mbajtur në vete nga viktimat.

Juria e shpërblimeve në përbërje të Binak Kelmendit, Majlinda Bregasit dhe Imer Mushkolajt, ka ardhur në përfundim se shpërblimi duhet t’i takojë Shqipe Gjocajt për artikullin “Përdhunimi martesor ‘legjitim’ dhe i mirëqenë në Kosovë”, i publikuar në platformën “Kosovo 2.0”.

Anëtari i jurisë, Imer Mushkolaj, ka thënë se juria ka vendosur që ta shpërblejnë një hulumtim jashtëzakonisht të thellë për një fenomen që e heshtin të gjithë. Sipas tij, nëpërmjet këtij artikulli u është dhënë zë grave të Kosovës.

“Nëpërmjet këtij shkrimi është vënë në pah një krim që nuk njihet nga autoritetet, por as nga të dhunuarat”, ka thënë ai.

Laureatja Gjocaj ka thënë se për të është kënaqësi të jetë fituese e shpërblimit “Rexhai Surroi”.

“Ka qenë një punë e ndjeshme që është dashur të realizohet në mënyrë të matur për emancipim të grave dhe një të drejtë që u mohohet nga partnerët, institucionet e shoqëria. Pra, për autonomitet të plotë trupor të tyre”, ka thënë ajo. Ka falënderuar gratë dhe burrat që e kanë lexuar artikullin dhe e kanë ndarë me të tjerët duke marrë pjesë në debat.

Pas kësaj pjese të programit, është folur po ashtu për një grua. Por kësaj radhe, për atë që kur përmendet një primadonë e teatrit, zë vend të padiskutueshëm.

Botimet KOHA sivjet ka përmbyllur ciklin e botimeve të librave me monografinë për aktoren Melihate Ajeti. “Melihate Ajeti – primadona e skenës shqiptare”, një vepër unike për këtë figurë të shquar, është libri i 14-të me radhë i vitit i dalë nga shtypshkronja e Botimeve KOHA.

Image

“...se Melihate Ajeti kishte qenë ikona e teatrit kosovar me dekada, e botuam këtë monografi. E botuam, sepse njerëzit që bëjnë historinë, duhen edhe të bëhen pjesë e saj”, ka thënë Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, me rastin e promovimit të monografisë “Melihate Ajeti – primadona e skenës shqiptare”


Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, para se të flasë për monografinë, ka thënë se me gjithë kushtet të cilave duhej përshtatur, ishin të vendosur që puna krijuese e gazetarëve dhe shkrimtarëve duhej vlerësuar, njësoj siç kishte ndodhur tashmë në 12 ceremoni paraprake. Ka thënë se pavarësisht rrethanave, kompania që ajo udhëheq ka vazhduar punën e përditshme, duke e informuar publikun me kohë dhe me saktësi për krejt ato që po ndodhnin publikisht dhe në prapaskenë. Sipas saj, në kushte normale figura e Melihate Ajetit do të nderohej me duartrokitjet e pandërprera, ashtu siç i kishte përjetuar me mijëra herë gjatë karrierës së saj.

“Atë që e paramenduam nuk mundëm ta realizonim. Porse kjo nuk u bë pengesë që të mos e përgatisnim dhe ta botonim monografinë për Melihate Ajetin, në vitin kur do të bëhej 85 vjeçe dhe kur u bënë 15 vjet nga shuarja e saj”, ka thënë ajo. Ka kujtuar se aktorja të cilën rrethi i ngushtë e thërriste Meli është njohur si artistja më e madhe dhe më me nam që ka pasur Kosova. Ka treguar se nuk ka pasur shfaqje që inskenohej në atë që, dikur, ka qenë Teatri Popullor Krahinor, e në të cilin Melihate Ajeti nuk e ka pasur rol, dhe kjo, kryesisht rol kryesor.

“Por, shtegtimi i Melit drejt suksesit kishte qenë plot gjemba. Lumturia familjare iu shua në moshën e njomë, atëherë kur babanë ia burgosën, kurse vetë Melin, megjithëse prindërit i kishte të gjallë, e vendosën në jetimoren e Pejës, ku u detyra t'i kalojë disa vjet të jetës”, ka thënë Surroi. Nëpërmjet lojës në teatër, sipas Surroit, Ajeti do t'ia siguronte vetes dhe familjes së saj një rrogë me të cilën do të mund të jetonin tashmë së bashku.

“Bashkimi me Muharrem Qenën do ta ngrinte dhe ta gdhendte në perlën e teatrit shqiptar. Së bashku me të do t'i realizonte mbi 40 shfaqje, kurse kulminacionin do ta arrinte me të famshmen ‘Ervehe’. Kjo qe shfaqja, e cila u mbajt në repertor 13 vjet të plotë dhe u shikua nga mbi 100 mijë shikues”, ka thënë ajo. Ka kujtuar se pas vdekjes nuk pati përcjellje shtetërore për artisten e madhe dhe shkoi pa e nderuar ashtu siç do t'i kishte pasur hije një populli që e qan artisten e vet.

“Prandaj, jo vetëm për këtë arsye, por për shkak se Melihate Ajeti kishte qenë ikona e teatrit kosovar me dekada, e botuam këtë monografi. E botuam, sepse njerëzit që bëjnë historinë, duhen edhe të bëhen pjesë e saj”, ka thënë ajo.

Librin e shkruar nga e bija e aktores, Antigona Qena-Kaçaniku e ka vlerësuar si një vepër ku autorja ka ditur ta mbajë distancën dhe të jetë minimalisht subjektive teksa rrëfen për jetën dhe veprën e nënës së saj.

Antigona Qena-Kaçaniku, shikuesve u është drejtuar nga holli i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ka thënë se Meli krejt e re kishte shkuar aty. Ende pa i mbushur të 16-tat.

Image

Antigona Qena-Kaçaniku


“Shpërblimi i saj më i dashur ishin duartrokitjet e publikut pasi thoshte se janë më të sinqertat. Kjo monografi është dhuratë e së bijës për nënën, por edhe tentim i gazetares që të lërë një dëshmi për vlerat që kishim dhe nuk guxojmë t’i harrojmë”, ka thënë Qena-Kaçaniku derisa ka folur për monografinë që është libri i 225-të me radhë i botuar nga Botimet KOHA.

Rrëfimet dhe ëndrrat e emigrantëve

Sa u përket librave, ceremonia ka vazhduar me ndarjen e shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar. Prej 22 titujve që ishin në garë, juria ka ardhur në përfundim shpërblimin ta marrë Shkumbin Gashi me “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”.

Anëtari i jurisë, Binak Kelmendi, ka thënë se ndarja e një çmimi letrar gjithmonë është një akt emotiv dhe solemn. Sipas tij, është privilegj që në emër të Grupit KOHA t’ia ndajë shpërblimin, Shkumbin Gashit.

Autori i romanit ka thënë se është një motivim i madh për të që ta fitojë shpërblimin “Rexhai Surroi”. Ka përmendur se para tij këtë shpërblim e kanë marrë shkrimtarë, si Ismail Kadareja e Agron Tufa.

“Shkrimi për mua ka qenë një komunikim me botën me të cilin ndihesha rehat. Edhe nëse e di që bota mund të digjet, mund ta rikrijoj atë përmes shkrimit. Kur kam shkruar romanin, ishte terapi shpirtërore për mua”, ka thënë ai. Ka treguar se vepra e tij ka për bazë katër personazhe që janë emigrantë të vendeve të ndryshme e jetojnë në Zvicër. Ai vetë ka katër vjet që ka emigruar në Zvicër.

Shikuesve u është drejtuar edhe anëtarja e jurisë, Majlinda Bregasi, e cila ka thënë se juria sivjet ka dhënë çmime feministe.

“Kjo tregon që problemi i gruas më nuk është problem i dy a tri organizatave. Të rinjtë që na kanë dërguar romanet na kanë mrekulluar”, ka thënë ajo.

Shpërblimet e sivjetme gjatë ceremonisë, ku ka interpretuar në kitarë Agron Peni, kanë dërguar shumë mesazhe. Ashtu siç Grupi KOHA e ka mision informimin e publikut e pasurimin e bibliotekave me libra, nëpërmjet shpërblimeve e ka vazhduar misionin e përkrahjes së krijuesve e hulumtuesve.