Arbëri

KDI: MSH-ja planifikon të blejë material laboratorik 190% më shtrenjtë se në kontratën e muajit tetor

 

Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Ministria e Shëndetësisë po planifikon të blejë material laboratorik për teste për COVID-19 me çmim 190 për qind më shtrenjtë në krahasim me kontratën e dhënë në muajin tetor 2020.

Përmes një komunikate për media thuhet se më 8 dhjetor MSH-ja ka shpallur tenderin për “Furnizim me material laboratorik për testim për SARS-COV-2” me vlerë të parashikuar mbi 5 milionë Euro.

“Përmes këtij tenderi parashikohen të blihen 39 materiale laboratorike. Çmimet që MSH-ja i ka parashikuar për pesë nga këto 39 materiale janë 116,000 euro apo rreth 190% më të larta se çmimet me të cilat këto materiale ishin blerë vetëm dy muaj më herët, përmes kontratës së publikuar më 1 tetor 2020”, thuhet në njoftim.

KDI-ja thotë se ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë të rishikojë këto çmime pasi që ende nuk janë hapur ofertat.