Arbëri

Mustafa: Ndaj shqiptarëve në Medvegjë po bëhet spastrim i heshtur etnik me pasivizim të adresave

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar në Serbi, ka thënë se përmes pasivizimit të adresave ndaj shqiptarëve në Serbi po bëhet spastrim i heshtur etnik.

Duke folur për një raport që ka nxjerrë ky këshill, Mustafa ka shpjeguar se ndaj shqiptarëve shteti serb ka një qasje selektive dhe së fundmi ka intensifikuar pasivizimin e padrejtë të adresave.

“Ky raport vlerëson kontradiktat ligjore dhe mënyrën antikushtetuese e anticivilizuese të pasivizimit të adresave. Koncentrohet vetëm mbi bazën e asaj që shqiptarët janë komunitet që nuk i takojnë komunitetit serb dhe si të tillë për shkak të konstilacionit etnik konsiderojmë se është në mënyrë masovike dhe qasje selektive që po u bëhet qytetarëve të Luginës. Ky raport ka për qëllim të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar. S’është problem i sotëm. Ka filluar më 2011, por së fundmi ka pasur intensifikim më të madh se që ishte parë në të kaluarën. Kundërthëniet ligjore janë me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e Serbisë. Theksohet se është e ndaluar çfarëdo ndryshimi i strukturës së popullsisë etnike ku ajo pakicë jeton tradicionalisht dhe krahas saj ndryshimi i strukturës etnike është i ndaluar. Neni 18 i Ligjit mbi vendbanimet për adresat e përhershme dhe përkohshme që aplikohet gjatë pasivizimit të adresave nuk aplikohet në tërësi. Duhet të përcaktohet adresa e përkohshme ku qytetari jeton dhe kjo nënkupton se shqiptarët humbin të drejtën e tyre qytetare, të garantuara ligjore, e trajtimit të barabartë të qytetarit, dhe konsiderohen si të huaj”, ka thënë ai sa i përket azhurnimit që u bëhen adresave në shtetin serb.

Sipas tij, organizatat ndërkombëtare kanë vlerësuar se qasja e pasivizimit të adresave bëhet me përqendrim të madh në zonat ku janë shqiptarët.

“Në Medvegjë kemi konsideruar se konstatuar se është spastrim i heshtur etnik, i mbuluar me procedura administrative ku qytetarëve s’u jepet e drejta e atakimit të vendimit”, ka thënë ai në Interaktiv.

Legjislacioni në fuqi i Serbisë përcakton vendbanimin si hapësirë për të gëzuar të drejtat elementare. Si rezultat një person mund të lindë në Serbi, të marrë shtetësinë e të kalojë gjithë jetën në këtë territor, por nëse s’ka një adresë të regjistruar, mbetet pa qasje në shumicën e institucioneve. Këtyre njerëzve u pamundësohet të nxjerrin dokumente, të largohen nga shteti apo të gëzojnë të drejtat tjera elementare. S’mund të pajisen as me dokumente, nëse s’kanë adresë. Ky është parakushti që qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk po mund ta arrijnë.