“Një pengesë e madhe pa dyshim është se krerët e sistemit prokurorial të lidhur apo të nënshtruar nga politika ndikojnë që edhe në rastet kur ka prokurorë të guximshëm dhe me vullnet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, të pengohen në punën e tyre”, ka thënë Miftaraj
Vitit 2020, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, do të mbahet mend për reagimet e institucioneve ndërkombëtare karshi Këshillit Prokurorial dhe Qeverisë Hoti, për politizimin e sistemit të drejtësisë.
Miftaraj thotë se situata epidemiologjike ka ndikuar që dinamika e punës si në secilin sektor tjetër të ndryshojë, por kjo gjendje është shfrytëzuar nga institucionet që ta amnistojnë korrupsionin.
Problem permanent, sipas Miftarajt, është mungesa e profesionalizmit të prokurorëve për trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, ndërsa mungesa e lidershipit të prokurorëve, mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit prokurori-polici po ndikojnë në kualitetin e rasteve të korrupsionit, ku mbi 70% të tyre dështojnë.
KD: Instituti i Kosovës për Drejtësi e monitoron gjatë sistemin e drejtësisë, specifikisht luftën kundër korrupsionit. Këtë javë ishte Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit. Në çfarë stadi është Kosova në ballafaqim me korrupsionin? Në raport me vitet e kaluara, cila ka qenë performanca e institucioneve të drejtësisë në përballje me korrupsionin këtë vit?
Miftaraj: Viti 2020 është vit i humbur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin e drejtësisë. Në aspektin politik, institucionet qendrore, me theks të veçantë Qeveria e Kosovës me veprime konkrete ka ndërmarrë hapa drejt rikapjes së shtetit, respektivisht institucioneve si Policia e Kosovës, Dogana dhe ATK-ja, përfshirë organizimin e konferencave për media, ku kryetari i LDK-së në mënyrë të hapur flet për raste penale ku i dyshuar është nënkryetari i kësaj partie, z. Haki Rugova, duke sulmuar institucionin e Prokurorit të Shtetit si të politizuar, duke harruar se ishte vetë z. Mustafa që e kishte vizituar kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, me rastin e marrjes së pozitës, duke i thurur lëvdata se ka besim se ai do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Aq më tepër, kur z. Mustafa në mënyrë aktive i ka dalë z. Lumezit në mbrojtje sa herë që publiku ka kërkuar llogari për mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, apo ka kontestuar integritetin e të njëjtit.
Në aspektin e drejtësisë, viti 2020 ka shënuar regresin më të madh që nga viti 2015. IKD-ja gjatë vitit 2020 ka monitoruar afërisht 6000 seanca gjyqësore në çështjet penale, civile dhe administrative, prej të cilave mbi 1200 seanca në çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe gjatë vitit 2020 nuk ka as edhe një aktgjykim të formës së prerë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë apo konfiskim të pasurisë së fituar përmes veprave penale të korrupsionit. Viti 2020, pa dyshim se do të mbahet mend për reagimet e ashpra të ambasadave të shteteve të KUINT-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian ndaj Qeverisë Hoti dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për politizimin e sistemit të drejtësisë. Në këtë drejtim, se në çfarë stadi është sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe lufta kundër korrupsionit mund të përmbyllen me konkluzionet e Raportit të Progresit për vitin 2020, i cili për vitin e katërt me radhë konstaton se Kosova është në fazën fillestare, apo në fillet e saj të para. Fatkeqësisht , ky refren po përsëritet qe katër vjet me radhë.
KD: Janë arsyetuar se ka ndikuar situata epidemiologjike, realisht sa qëndron kjo?
Miftaraj: Është fakt se pandemia COVID-19 ka ndikuar në çdo sferë të jetës në Kosovë, ku edhe sistemi i drejtësisë nuk ka qenë imun. Sidoqoftë, publiku në Kosovë mund të ketë mirëkuptim për sistemin e drejtësisë në qoftë se ky sistem për shkak të pandemisë mund të ketë rënie në efikasitet apo në zgjedhje të lëndëve brenda një afati të arsyeshëm kohor. Por nuk mund të arsyetohet assesi mungesa e vullnetit, guximit apo edhe kurajës për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet publike të korrupsionit, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë publikë. Mjafton të përmendet tenderi 5 milionë euro në Qeverinë Hoti dhe mosreagimi as i Policisë, as i Prokurorisë lidhur me këtë rast. Apo një rast reprezentativ pa dyshim është rasti Ukë Rugova, ku Gjykata Themelore në Prishtinë për më shumë se një vit nuk ka caktuar as edhe një seancë gjyqësore. Raste si këto dëshmojnë se sistemi i drejtësisë, në emër të pandemisë ka amnistuar dhe është duke amnistuar raste të cilat do të duhej të ishin trajtuar me top prioritet.
KD: Si e vlerësoni cilësinë e aktakuzave, dhe cila është përgjegjësia e hetuesisë në dështimin e rasteve në gjykatë?
Miftaraj: Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, prokurori i rastit është shef i hetimeve, respektivisht ai duhet të udhëheqë hetimet, duke iu dhënë autorizime apo udhëzime agjencive që zbatojnë ligjin në Kosovë për të hetuar rastet penale, ku hyjnë edhe veprat penale të korrupsionit. Një prokuror profesionist sigurohet që për çdo rast që e heton, të bashkëpunojë me policinë dhe me agjencitë tjera kompetente varësisht prej rastit, të sigurohet se mbledh dëshmi dhe prova të qëndrueshme, ku me rastin e ngritjes së aktakuzës e njëjta të jetë e qëndrueshme dhe e provueshme në gjykatë. Sa ndodh kjo në praktikë, pothuajse shumë rrallë. Në shumicën e rasteve të korrupsionit, prokurorët nuk i shfrytëzojnë dhe zbatojnë kompetencat që iu jep ligji, ku punën e tyre kryesisht e bazojnë në zyre dhe duke iu besuar të gjitha informatave dhe provave që i marrin të gatshme nga ligjzbatuesit. Mungesa e lidershipit të prokurorëve, mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit prokurori-polici po ndikojnë në kualitetin e rasteve të korrupsionit, ku mbi 70% të tyre dështojnë.
KD: A mund të flitet për mungesë të kompetencës profesionale të prokurorëve apo mungesë vullneti?
Miftaraj: Pa dyshim se ka mungesë profesionalizmi të prokurorëve. Sistemi prokurorial ende nuk ka arritur t’i profilizojë dhe specializojë prokurorët në fusha specifike, të cilat ndikojnë në kualitetin e hetimit, të ngritjes së aktakuzave dhe përfaqësimit të tyre në mënyrë profesionale në gjykatë. Sidoqoftë, kjo është vetëm një anë e medaljes. Pikë e dobët e sistemit prokurorial pa dyshim është mungesa e guximit për të hetuar në mënyrë të pavarur rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Një pengesë e madhe pa dyshim është se krerët e sistemit prokurorial të lidhur apo nënshtruar nga politika ndikojnë që edhe në rastet kur ka prokurorë të guximshëm dhe me vullnet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, të pengohen në punën e tyre.
KD: Cili është raporti polici-hetuesi dhe sa ndikon kjo në luftën kundër korrupsionit?
Miftaraj: Koordinimi, bashkëpunimi dhe besimi reciprok prokurori-polici në luftimin e korrupsionit janë kyç në çdo shtet. Në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, policia i nënshtrohet prokurorit të shtetit në hetimin e rasteve. Fatkeqësisht, praktika e ndërtuar në Policinë e Kosovës këtë zinxhir e ka këputur, duke ndërtuar praktika ku për rastet në hetim polici hetues në radhë të parë i raporton zinxhirit komandues në polici dhe pastaj prokurorit, duke mundësuar që informatat dhe të dhënat lidhur me një çështje penale të ndahen me shumë persona, dhe të marrë urdhra që jo rrallëherë e përjashtojnë prokurorin. Dhe në rastet kur prokurorët nuk janë aktivë dhe nuk i mbikëqyrin lëndët që hetojnë, atëherë vijmë në situata ku kontrollin e hetimeve në praktikë e merr pothuajse krejtësisht policia, që ndikon në kualitetin, konfidencialitetin dhe në integritetin e hetimeve.
Miftaraj: Është fakt se pandemia COVID-19 ka ndikuar në çdo sferë të jetës në Kosovë, ku edhe sistemi i drejtësisë nuk ka qenë imun. Sidoqoftë, publiku në Kosovë mund të ketë mirëkuptim për sistemin e drejtësisë në qoftë se ky sistem për shkak të pandemisë mund të ketë rënie në efikasitet apo në zgjedhje të lëndëve brenda një afati të arsyeshëm kohor. Por nuk mund të arsyetohet assesi mungesa e vullnetit, guximit apo edhe kurajës për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet publike të korrupsionit, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë publikë. Mjafton të përmendet tenderi 5 milionë euro në Qeverinë Hoti dhe mosreagimi as i Policisë, as i Prokurorisë lidhur me këtë rast. Apo një rast reprezentativ pa dyshim është rasti Ukë Rugova, ku Gjykata Themelore në Prishtinë për më shumë se një vit nuk ka caktuar as edhe një seancë gjyqësore. Raste si këto dëshmojnë se sistemi i drejtësisë, në emër të pandemisë ka amnistuar dhe është duke amnistuar raste të cilat do të duhej të ishin trajtuar me top prioritet.
KD: Ka pasur disa dënime viteve të fundit, por a janë të mjaftueshme ato në raport me nivelin e korrupsionit në Kosovë?
Miftaraj: Edhe më tutje numri më i madh i dënimeve në sistemin gjyqësor në rastet e korrupsionit lidhet me dënime me kusht, dënime me gjobë dhe rrallëherë dënime me burg efektiv. Një qasje e tillë është në kundërshtim edhe me Udhëzuesin e Gjykatës Supreme lidhur me politikën ndëshkimore në Kosovë. E kur kësaj i shtohet fakti se s’ka fare dënime me burg për korrupsionin e nivelit të lartë, e ul besimin e publikut se sistemi i drejtësisë është i aftë dhe i pavarur për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë që ia japin Kushtetuta dhe ligji.
KD: Është shuar Task-Forca Kundër Korrupsionit me vendim të kryeministrit Hoti. Çfarë sinjali ka përçuar ky vendim?
Miftaraj: Kushtetuta dhe ligjet në Kosovë, në mënyrë të pakontestueshme u japin të drejtë Qeverisë dhe Kuvendit të miratojnë politika që promovojnë apo përmirësojnë sundimin e ligjit në Kosovë. Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës nuk ka mandat dhe kompetencë të shkatërrojë dhe shfuqizojë mekanizma kryesorë në luftimin e korrupsionit pa analizë paraprake, përmbajtjesore, mirë të arsyetuar dhe pa konsultim publik me shoqërinë civile dhe me partnerët ndërkombëtarë. Vendimi i Qeverisë Hoti ka qenë në kundërshtim me tërë këto parime, që lë të nënkuptohet se qëllimi final ka qenë shkatërrimi i një mekanizmi i cili ka iniciuar raste kundër një numri të madh të kabinetit aktual qeveritar dhe eksponentëve të lartë politikë të LDK-së dhe partive në pushtet dhe në opozitë. Vendimi i tillë pa dyshim se perceptohet si hakmarrës dhe mesazh për të gjithë ligjzbatuesit se kush guxon të na hetojë do ta ketë fatin e njëjtë.
KD: Cili është raporti i drejtësisë me politikën në Kosovë?
Miftaraj: Politika dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë bashkëjetojnë. Politika në Kosovë në mënyrë shumë efikase ka arritur që sistemin e drejtësisë në Kosovë ta kthejë në një dikaster qeveritar dhe të njëjtin ta kontrollojë. Në anën tjetër, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka zgjedhur rrugën më të lehtë të nënshtrimit ndaj politikës, por duke shfrytëzuar privilegjet dhe beneficionet që i ka ofruar politika. Me vetë faktin se sot ka prokurorë dhe gjykatës në nivelin më të lartë që marrin paga mbi 3100 euro në muaj dhe për punën e tyre nuk japin llogari ndaj Kushtetutës, ligjit dhe publikut, por në vazhdimësi e promovojnë dhe e fuqizojnë kulturën e pandëshkueshmërisë, është fakt se kjo gjendje nuk do të mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Kërkesa e publikut pa dyshim se do të vijë duke u rritur, ku presioni në të ardhmen nuk do të durojë që në sistem të drejtësisë të punojnë njerëz të politikës dhe pa integritet. Pa dyshim se ky presion do të përkthehet në vetting për këtë sistem.