Arbëri

Bulliqi: Nuk kemi asnjë informatë nga Serbia për dy shtetasit kosovarë të arrestuar të shtunën

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka dënuar arrestimin e dy shtetasve kosovarë nga autoritetet serbe.

Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se njëri nga ta është këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës.

Bulliqi ka thënë se ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara, derisa kishin dalë të ecin brenda territorit të Komunës, përgjatë brezit kufitar.

Ai ka bërë të ditur se ata ende po mbahen të ndaluar nga autoritetet serbe dhe se nuk kanë asnjë informatë për ta.

“Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t'i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar”, ka thënë ai.