8 perditesime
21:34

Daka e pranon: Ka manipulime brendapartiake nga komisionerët

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se ka manipulime mjaft të mëdha brendapartiake nga ana e komisionerëve.

“Votat numërohet aty për aty, dmth, në secilin vendvotim numërohet ajo kuti me vota dhe ato rezultate janë ato që rrjedhin nga numërimi në vendvotim. Pastaj kur këto kuti shkojnë në QNR aty bëhet auditimi i tyre dhe secila kuti hapet dhe vlerësohet se a përputhen rezultatet, nënshkrimet me numrin e fletëvotimeve, janë procedura dhe nëse një votë nuk përputhet ajo kuti konsiderohet si kuti që është e kontaminuar dhe duhet të shkojë në rinumërim”, ka thënë Daka në emisionin Desku në KTV. “Kjo është ajo që e zgjat pastaj procesin dhe duhet të bëhet rinumërimi, sepse votat numërohen atë natë. Pra, rezultatet dalin live”.

Daka ka thënë se në Kosovë nuk mund të bëhen votime elektronike sepse ligji e përcakton që duhet të jetë fletëvotim dhe duhet të mbushet e numërohet manualisht.

“Kur kemi zgjedhje lokale zgjatja e procedurave është edhe më e madhe sepse gjithmonë kemi mospërputhje të rezultateve tek kandidatët. Fatkeqësisht ajo vjedhja brenda llojit, brenda partisë është e shpërfaqur sidomos vitet e fundit dhe ne vazhdimisht kemi ankesa të pafundme nga kandidatët të cilët bëjnë kërkesën në PZAP, ajo na detyron t'i rinumërojmë edhe pse në zgjedhjet e fundit i kemi parë se pavarësisht rinumërimeve pak ka pas dallime në rezultate. Edhe pse ka pas disa deputetë fillimisht kanë qenë deputetë pastaj kanë dalë që nuk janë deputetë pas rinumërimeve. Këto janë si pasojë e ndërhyrjes në proces nga ana e komisionerëve”, ka thënë Daka. “Komisionerët e partive të cilët sa i përket votës së partisë janë fanatikë, mirëpo kur vjen të vota e kandidatit aty pastaj bëjnë allishverishet e veta. Dhe të gjithë pajtohen fatkeqësisht”.

Ajo thotë se pajtohet me konstatimin se shumë më shumë ka manipulime brenda partiake,se sa ndaj partive të tjera.

"Në vitin 2010 kur ka pasur manipulime të llojllojshme. Por, më pas kemi pasur ndryshimin ku ka pasur manipulime brenda për brenda partive. Pra, brenda kandidatëve të një partie e jo në mes të partive", ka thënë ajo.

21:24

Daka flet për vështirësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të shpeshta

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka folur për vështirësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të shpeshta.

Ajo ka treguar se që nga viti 2010 në Kosovë ka pasur vetëm zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme. Në DESKUN e KOHËS ajo ka treguar se nuk është e paraparë me ligjin e Prokurimit që të ketë procedura të posaçme për këto afate të shkurtra për organizim të zgjedhjeve, kështu që duhet të nënshkruajnë kontrata një burimore, e që shpesh lind dyshimi për keqpërdorime.

“Është problemi i madh për ne. Që nga viti 2010, ne kemi organizuar vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme, pra zgjedhjet parlamentare kanë qenë të gjitha të jashtëzakonshme. Afati më i gjatë që kemi pasur ishte 37 ditë, gjithmonë i kemi organizuar për 30, 31 apo 35 ditë. Ky afat gjithmonë ka qenë më i shkurtër se 45 ditë, siç e parasheh Kushtetuta. Sa i përket tenderëve e procedurave të Prokurimit, duhet t’i zbatojmë të gjitha procedurat siç parasheh ligji. Ligji nuk i ka paraparë që për këto afate të shkurtra të ketë procedura të posaçme. Duhet t’i zhvillojmë ato me procedura standarde. Është dashur vazhdimisht të lidhim kontrata njëburimore, pasi s’ka mundësi tjetër. Është gjithmonë rreziku që lihet një përshtypje që po ndodh diçka e paligjshme, se po favorizohet një kompani apo po ndodh diçka që nuk është e lejuar”, ka thënë Daka

Ajo ka thënë se me reformën zgjedhore ndoshta do të duhej gjetur zgjidhje edhe për këtë çështje.


“Ndoshta do të kishte qenë mirë me qenë një prej çështje që do të duhej të zgjidhej me reformën zgjedhore. Ku KQZ-së do t’i lejohej procedurë e veçantë e prokurimit, mu për faktin se ne kryesisht i kemi zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ishte dashur me i prek edhe ligjet tjera. Na ka ndodhë që edhe anëtarët e stafit kanë pasur aktakuza, të cilat janë hedhur poshtë pastaj. Aktakuza për keqpërdorime, për vendime të cilat i kanë marrë gjatë prokurimit për blerjen e mallrave që na duhen për ditën e zgjedhjeve. Kanë qenë kontrata njëburimore, ku sipas prokurorisë, ka pasur keqpërdorime”, ka shtuar Daka.

21:03

Daka: Rreth 200 qytetarë me COVID-19 kanë votuar në zgjedhjet në Podujevë e Mitrovicë V.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në DESKUN e KOHËS ka treguar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, që u mbajtën të dielën, kanë votuar rreth 200 qytetarë të infektuar me koronavirusin e ri.

Ajo ka treguar se lista është marrë nga IKSHPK-ja dhe janë telefonuar persona që gjendeshin të karantinuar.

“Ju kemi mundësuar edhe qytetarëve që kanë qenë të ngujuar në shtëpi, të karantinuar, shkaku i koronavirusit, që të votojnë. I kemi kontaktuar, kemi marrë emrat e gjithë atyre që janë në listë të IKSHPK-së. I kemi kontaktuar me telefon dhe i kemi pyetur nëse janë në gjendje të votojnë, pasi ka prej tyre që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kemi marrë përgjigjet dhe me sa e di diku rreth 200 qytetarë në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar në këtë mënyrë. Ekipet tona mobile i kanë vizituar në shtëpi, natyrisht nën masa mbrojtëse dhe ja u kanë mundësuar këtë të drejtë qytetare. Mirëpo, në zgjedhjet nacionale kjo do të ishte bukur e vështirë, sepse shtrirja në gjithë Kosovën gati e bën të pamundur të shkojnë ekipet mobile në të gjitha vendet”, ka thënë Daka.

21:02

Daka: Subjektet politike s’kanë shprehur interesim për reformën zgjedhore

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se subjektet politike nuk kanë shprehur interesim për reformën zgjedhore.

Sipas saj reforma zgjedhore tashmë është vonuar shumë sepse që nga viti 2011 kemi filluar një reformë zgjedhore, e cila praktikisht nuk ndodhi.

“U përfundua një ligj, u bë një draft, i cili kaloi edhe leximin e parë në Kuvend, pastaj u shpallën zgjedhjet e vitit 2013 dhe aty ka përfunduar e gjithë storja. Ne asnjëherë nuk e kemi përfunduar reformën. Vazhdimisht kemi kritika edhe nga BE-ja edhe në Raport të Progresit se nuk adresohen të gjithë ato gjetje”, ka thënë Daka.

Ajo ka thënë se kjo është edhe një kërkesë e ndërkombëtarëve.

“Ne kemi monitorues ndërkombëtarë, kanë ardhë disa here, kanë dërguar misione vëzhguese tek ne që pastaj kanë dalë me gjetjet e tyre sa i përket zgjedhjeve, ligjit, mënyrës se si organizohen të gjithë. Rekomandimi kryesor i tyre është që ne të bëjmë një reformë zgjedhore. Edhe Komisioni i Venedikut e ka këtë mendim, mirëpo fatkeqësisht subjektet e tona politike të cilat janë në parlament nuk kanë shprehur ndonjë vullnet”, ka thënë Daka.

Ajo tutje ka shpjeguar arsyet që mund të jenë për mospajtimin e partive politike për reformën zgjedhore.

“Ndoshta është ajo frika se po të ndryshohet Ligji do të ndryshohet edhe sistemi zgjedhor dhe nuk ka pajtim pastaj ndërmjet subjekteve politike të arrihen ato zgjedhjet se sa do të jenë, a do të jenë listat e hapura të kandidatëve sepse ato më së shumti përbëjnë problem. Pastaj çështja e zonave, pragut zgjedhor e të gjitha të tjerat. Këto janë çështje që i përkasin sistemit zgjedhor dhe ne si KQZ nuk kemi pse të mendojmë. Ne kujdesemi nga ana teknike për organizimin”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se ka shumë çështje të cilat mund të rregullohen.

“Së pari vet mënyra se si funksionon KQZ-ja, neve na mungon një ligj për KQZ-në, na mungon një ligj për partitë politike sepse pastaj për ne do të ishte më e lehtë që t'i menaxhojmë edhe zgjedhjet edhe partitë. Ne në kuadër të KQZ-së kemi edhe zyrën për regjistrimin e partive politike për të cilën poashtu nuk ka një ligj. Kemi parë se nuk mjafton vetëm një ligj, por duhet të kemi një kod zgjedhor ku do të përfshihen të gjitha këto ligje”, ka thënë Daka.

Sipas saj reforma zgjedhore do të duhej të ndodhte të paktën një vit para zgjedhjeve.

“Qysh moti është kërkuar të bëhet kjo por siç e thashë nuk ka vullnet politik, ndoshta edhe pse vazhdimisht kemi zgjedhje të jashtëzakonshme dhe kjo e pamundëson edhe atë reformën e mirëfilltë, sepse të ndryshohet ligji zgjedhor kjo duhet të ndodhë së paku një vit para ditës së zgjedhjeve”, ka thënë Daka.

20:47

Daka e quan kauzë politike idenë që të votojnë 16-vjeçarët: Janë të papjekur

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, vlerëson se ideja që të ulet mosha minimale e qytetarëve me të drejtë vote në 16 vjet, është më shumë një kauzë politike.

Ajo në Deskun e KOHËS tha se si KQZ nuk janë marrë e as do të merren me këtë ide.

“Ndoshta është më tepër kauzë politike, se sa çështje që ne si KQZ duhet të merremi.

Normalisht, unë mendoj se 16-vjeçarët ende nuk janë të pjekur që të dinë se për këtë të votojnë dhe se shumë lehtë mund të manipulohen”, ka thënë ajo.

Sipas ligjit, të drejtë vote kanë të gjithë ata që kanë 18 vjet e më shumë.

Daka ka folur edhe për vështirësitë që do të kishte KQZ-ja për organizimi të zgjedhjeve nacionale në kohë pandemie.

“Nuk është njësoj si të organizohen zgjedhje në dy komuna relativisht të vogla dhe të organizohen zgjedhje nacionale në kushte të pandemisë. Natyrisht është më e kushtueshme dhe më vështirë e menaxhueshme për neve si KQZ, por edhe për qytetarët është vështirë të votohet në kushte të tilla”, ka thënë Daka.

20:41

Daka: Mosshkuarja në balotazh ka kursyer rreth 100 mijë euro për komunë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – KQZ, Valdete Daka, në emisionin Desku në KTV ka thënë se mos shkuarja në balotazh i ka kursyer buxhetit të shtetit rreth 100 mijë euro për secilën komunë.

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka arritur të fitojë zgjedhjet pa balotazh, derisa në Mitrovicën e Veriut një gjë të tillë e ka bërë Lista Serbe.

“Saktësisht nuk mund të them se sa kanë kushtuar këto zgjedhje sepse ne në fund e bëjmë vlerësimin dhe marrim raportin se sa mjete janë harxhuar për këto zgjedhje. Por, gjithsesi pa balotazh do të kursejmë një shumë kogja të mirë të mjeteve financiare, me siguri diçka rreth 100 mijë euro për një komunë”, ka thënë Daka. “Mendoj se është një gjë e mirë, një përfitim së paku”.

20:38

Daka: Të enjten pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë V.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se të enjten po shpresohet që të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut që u mbajtën të dielën.

Daka ka thënë se gjatë ditës së nesërme do të numërohen votat me kusht, e që nuk janë aq shumë dhe të enjten po shpresohet të shpallen rezultatet përfundimtare.

“Gjatë ditës së nesërme besoj se do të numërohen të gjitha votat me kusht, që janë rreth 700, e me postë, që nuk e di saktësisht sa. Gjatë ditës do të numërohen, dhe të enjten shpresoj se do t’i shpallim rezultatet përfundimtare”, ka thënë Daka për DESKUN e KOHËS. “Votat me kusht numërohen në fund, sepse duhet së pari të procesohen të gjitha vendvotimet e rregullta, pastaj procesohen ato. Sepse bëhet vlerësimi nëse ka votuar dikush dy herë apo jo”.

20:38

Daka mohon se ndokujt i është mohuar e drejta e votës shkaku i skadimit të dokumentit identifikues

Kryetarja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, askush nuk ka mbetur pa votuar për shkak të skadimit të dokumentit identifikues.

Daka, në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se nuk është raportuar asnjë rast që dikujt i është mohuar e drejta e votës.

Shumë qytetarë kanë ngelur pa dokumente identifikimi, meqë në kohë të pandemisë nuk janë lëshuar nga institucionet kompetente.

Ka folur edhe për procesin në veri, ku tha se që nga viti 2019 votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

“Nuk është raportuar as në KQZ e as diku tjetër se nuk është lejuar të votohet se i ka skaduar afati dokumentit. Në veri, më 2019 nuk ka qenë e mundur të votohet me dokumente tjera, pos me ato të Republikës së Kosovës, pasi aty është numri personal dhe ai lidhet me numrin personal që gjendet në listën e votuesve. Ne vetëm e kemi zbatuar ligjin i cili thotë se mjet identifikimi në ditën e zgjedhjeve janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi”, ka thënë Daka.

20:27

Daka: Për shkeljen e heshtjes zgjedhore të Rakiqit ka ankesë, do të vendosë PZAP-ja

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – KQZ, Valdete Daka, në emisionin Desku në KTV ka thënë se ka pasur ankesë për shkeljen e heshtjes zgjedhore nga zëvendëskryeministri, Goran Rakiq.

Rakiq në ditën e zgjedhjeve lokale në Mitrovicën Veriore u kishte bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë kandidatin e Listës Serbe, gjë për të cilën janë ankuar partitë e tjera.

“Ajo është çështje, praktikisht kur është shkelë heshtja zgjedhore, për këtë do të vendosë PZAP-ja. Pa ka ankesë me sa e di unë nga subjektet politike të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në zgjedhjet në Mitrovicën Veriore”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se, “me siguri që PZAP-ja do të vendosë, pra nuk është çështje me të cilën ne mund të përballemi si KQZ”.