Arbëri

Liderët bëjnë homazhe në Prekaz

Descriptive Text

Liderët politikë të Kosovës kanë bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz, në shënimin e 108 vjetorit të pavarësisë së Shqipëri, datë që lidhë edhe daljen publike të UÇK-së 23 vjet më parë dhe ditëlindjen e 65-të të komandantit Adem Jashari.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas nderimeve tek varrezat e Jasharëve, tha se sakrifica e kësaj familje është ndër ngjarjet më të rëndësishme historike për shqiptarët.

“Në vendin më të shenjtë në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, me sakrificën e familjes tij renditet në listën e ngjarjeve më të rëndësishme historike për liri e pavarësi, krahas veprimtarëve më të mëdhenj të popullit shqiptar. Duke bërë nderime këtu, nderojmë të gjithë të rënët për liri dhe pavarësi”, tha ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se këtu po fillojnë homazhet për të nderuar anëtarët e familjes Jashari, ndërsa shtoi se kjo datë shënon tri ngjarje historike për identitetin kombëtar shqiptar.

“Filluam këtu homazhet sepse 59 anëtarë të familjes Jashari u flijuan në luftë të pabarabartë në atë që sot njihet si Epopeja e UÇK-së dhe ia dha hovin vendimtar çlirimit të Kosovës. Veprimtarë tonë në periudha të ndryshme e kanë 28 nëntorin diell të tyre dhe kështu do mbetet gjithnjë”, tha ai.

Kurti përmendi daljen publike të UÇK-së 23 vjet më parë, ndërsa tha se padrejtësia ndaj atyre që dolën për herë të parë nuk e dobëson Kosovën.

“Padrejtësia ndaj atyre që e shpallën UÇK-në me siguri që nuk do të na dobësojë, do t’i kalojmë këto vështirësi sepse patjetër do të ngadhënjejmë”, tha ai.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se nëntori 28 është ngritja e kombit shqiptar. Ai ka përmendur pesë ish-luftëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Sali Mustafën nga Gjykata Speciale dhe thotë se po mbahen padrejtësisht.

Kjo datë, thotë ai, “është synim i qëndresës dhe sakrificave për unifikimin tonë njerëzor e kombëtar”.

Ndërsa, kreu i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përmes një video-mesazhi ka bërë thirrje për bashkim e unitet për shtetndërtim.

“Sot, më shumë se kurrë na duhet bashkim e unitet në luftën tonë në shtetndërtim dhe për të vërtetën tonë historike, e cila po na luhatet e kërcënohet nga ata të cilët dje na kanë kërcënuar qenien tonë, lirinë tonë dhe sot bëjnë përpjekje për të kërcënuar të vërtetën tonë, historinë tonë, themelet e shtetit tonë, që janë të ndërtuara mbi shkronja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve të UÇK-së, burrave dhe grave, veteranëve, invalidëve dhe gjithë atyre njerëzve të cilët nuk kursyen asgjë për të dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Limaj.

E kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, tha se po përkujtojnë sakrificën e të gjithë dëshmorëve për lirinë e vendit, teksa bëri thirrje për unitet.

“Uroj të jemi të bashkuar siç ishim sot që ta zhvillojmë këtë vend sepse vetëm atëherë mund ta realizojmë amanetin e dëshmorëve”, tha Jashari.