Abrashi thotë se s’ka dalë nga izolimi për 17 ditë, demantohet në faqen zyrtare të MI-së
Foto: FB
Më 18 nëntor, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte njoftuar se kishte rezultuar pozitiv për COVID-19.
Të premten, vetëm nëntë ditë pasi i ishte konfirmuar rezultati, Abrashi ka marrë pjesë në punime në asfaltimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, e që prej aty është bërë pjesë e fushatës së LDK-së për zgjedhjet në Podujevë.
Ndërkohë, në përgjigjen që Abrashi i ka kthyer një qytetari në rrjetet sociale, i cili e kishte pyetur rreth çështjes së izolimit, ministri ka thënë se në fakt ai ishte izoluar që në mbrëmjen e 9 nëntorit, për 17 ditë.
“Me 18 e kam shkru statusin. A në izolim kam qenë nga mbrëmja e 9 nëntorit. Sot kam dalë në punë, pas 17 ditësh”, i ka shkruar Abrashi.
Por, në faqen zyrtare të Ministrisë ishte njoftuar për një vizitë të tijën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që sipas këtij njoftimi nga kjo vizitë Abrashi kishte mbikëqyrur “masat e ndërmarra nga operatori i aeroportit LIMAK me qëllim të frenimit të përhapjes së COVID-19”.
Pas një dite në izolim, Abrashi kishte dalë në vizitë zyrtare, teksa këtë gjë e konfirmon vetë.