Arbëri

Osmani lë mundësinë e transformimit të FSK-së para afateve të parashikuara

Descriptive Text

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Ushtria e Kosovës është shndërruar në një ushtri modele falë sakrificës të djemve dhe vajzave të vendit.

Në Ditën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Osmani ka thënë se transformimi i FSK-së ka mundësi të ndodhë edhe para afateve të parashikuara.

“Ne si vend asnjëherë s’kemi pasur synime pushtuese, por vetëm mbrojtjen e atdheut. Ambicie mbesin integrimi në NATO dhe BE. Forca jonë është sinonim i shtetësisë”, ka deklaruar Osmani përmes një video-mesazhi.

Ajo ndër të tjera ka thënë se pjesëtarët e kësaj Force janë të përgatitur sipas standardeve më të larta dhe janë të gatshëm të marrin pjesë në operacione të paqes.

Pos saj, për FSK-në ka folur edhe kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se kjo Forcë e gëzon epitetin e institucionet më të besueshëm në vend.

“Kjo nuk është vetëm çështje sentimenti por edhe e politikave dhe udhëheqjes së duhur. Pjesëtarët e FSK-së edhe këtë vit e kanë dhënë me sukses provimin, duke marrë pjesë aktive në luftimin dhe parandalimin e pandemisë. Shpreh mirënjohjen për vendet mike e anëtarët e NATO-s. FSK-ja është emblema më e mirë e identitetit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka shtuar se Qeveria ka plane të detajuara për transformimin dhe zhvillimin e FSK-së.

"Jemi të vendosur të punojmë për ta zënë hapin e zhvillimit krahas vendeve të tjera të botës. Ushtria do të jetë anëtare e NATO-s dhe do të forcohet sipas standardeve më të larta të kësaj aleance”, ka thënë ai.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se FSK-ja i ka përmbushur me sukses të gjitha objektivat vjetore dhe kanë arritur rezultate konkrete në menaxhim të resurseve njerëzore, arsimit, mbështetjes logjistike, transparencës dhe llogaridhënies.

"Do të vazhdojmë t'i kemi në funksion politikat integruese dhe jodiskriminuese dhe të jemi të hapur për të gjitha komunitetet. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përkundër të arriturave, mbetet ende pëd t'u bërë. Kam besim të plotë se të gjithë pjesëtarët e FSK-së do t’i vazhdojnë përpjekjet për t'i realizuar objektivat. Kam besim të plotë se FSK-ja do të vazhdojë të jetë model i suksesit për këtë gjeneratë dhe histori suksesi për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar në këtë organizim Quni.