Arbëri

Normalizimi i marrëdhënieve pritet të reflektojë në sjelljen e Listës Serbe

Prishtinë, 25 nëntor - Arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë konsiderohet se është çelësi i vetëm i ndryshimit të sjelljes së Listës Serbe karshi institucioneve të vendit. Ndonëse janë pjesë e ekzekutivit, partnerët serbë jo rrallëherë kanë shpalosur qëndrimet e politikës së shtetit të Serbisë.

Një pjesë të fajit për sjelljen e serbëve në institucione, kryetari i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, thotë se e kanë vetë politikanët e Kosovës. Sipas tij, zgjidhja e vetme është krijimi i kushteve të barabarta për zgjedhje.

“Problemi ose sfida më e madhe është në Prishtinë, si mund ta organizojë Prishtina një proces zgjedhor normal demokratik në kushtet të cilat ua ka mundësuar partnerëve të koalicionit të bëjnë çka të duan”, ka deklaruar Rashiq, raporton KOHA.

Qasja e Listës Serbe karshi Kosovës, sipas Mexhide Demollit nga Lëvizja FOL, nuk do të ndryshojë pa ndryshuar ajo e Serbisë.

“Lista Serbe është dëshmuar në shumë raste se është një vegël politike e Qeverisë së Serbisë. Prandaj, mendojmë se pa normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të presim edhe një normalizim dhe një qasje ndryshe të Listës Serbe”, ka vlerësuar Demolli.

Ditë më parë, ndonëse pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nenad Rikallo i Listës Serbe u emërua ndihmës i drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Me të marrë këtë post, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ia ndërpreu mandatin si anëtar në KQZ. Derisa, deri më tani, kjo parti ende nuk ka dërguar emrin e kandidatit për zëvendësimin e tij.

“Lista Serbe ende nuk ka dërguar ndonjë emër për zëvendësimin e anëtarit të saj në KQZ. Sapo ta kemi propozimin nga ky subjekt, në përputhje me kriteret ligjore, u.d. presidentja Vjosa Osmani do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Vjosa Osmanit.

Lidhur me qëndrimet karshi institucioneve, “Koha” ka provuar të marrë një përgjigje nga Lista Serbe. Por, përveç pyetjeve të dërguara në e-mail të kësaj partie, pa përgjigje kanë mbetur edhe ato dërguar krerëve të saj, Goran Rakiqit e Igor Simiqit.

Qëndrimet e Listës Serbe tashmë janë të njohura. Kandidati i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, për mediat serbe ka thënë se vota për Listën Serbe është përkrahje ndaj politikave të presidentit të Serbisë.

“Vota për Listën Serbe në zgjedhjet e së dielës është votë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë, por gjithashtu përkrahje për politikat e presidentit Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Radojeviq.