Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Ambasada dhe partnerët e saj në po lëvizin me shpejtësi për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes e cila është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.
Në një komunikatë për media nga Oda Ekonomike Amerikane, në një takim virtual që është mbajtur me ambasadorin Kosnett, ai ka thënë se injorimi i ekonomisë dhe i përfitimeve të qytetarëve vështirëson ecjen përpara.
Ambasadori Kosnett më tutje tha se mbështetja për prosperitetin e Kosovës, sundimin e ligjit dhe paqen me fqinjët, duke shtuar se këto janë aspektet kryesore strategjike të të dy partive në SHBA. Ai ka thënë se bizneset dhe njerëzit e Kosovës e kuptojnë që ndihma ekonomike e Amerikës për Kosovën ka qenë gjithmonë e përqendruar në ndërtimin e vetë-mjaftueshmërise, për t’i mundësuar vendit të krijojë rrugën drejt së ardhmes.
“Ambasada Amerikane dhe partnerët e saj në Uashington po vazhdojnë të lëvizin me shpejtësi të plotë për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, duke pasur parasysh se përmirësimi i jetës së qytetarëve të zakonshëm është thelbësor për ndërtimin e ekonomisë së rajonit, dhe është një nga arsyet pse marrëveshja përqendrohet aq shumë në modernizimin e infrastrukturës, pasi që kjo e fundit lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave përtej kufijve, gjë që është kyçe për zhbllokimin e potencialit të këtij rajoni”, ka thënë ai.
“Nëse shikoni në hartën e Ballkanit, Kosova është në mes të hartës. Fqinjët e Kosovës kanë nevojë për Kosovën po aq sa Kosova ka nevojë për fqinjët e saj, për të ndërtuar një ekonomi rajonale dhe për të ndërtuar një infrastrukturë rajonale,” tha ambasadori Kosnett, duke përfunduar se është e rëndësishme që Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-së, rreth Mini-Schengen-it dhe të punojë me partnerët e saj rajonalë.
John Jovanovic, drejtor menaxhues për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Egjeut në Korporatën Zhvillimore Financiare (DFC) tha se pjesa kryesore e objektivave të DFC-së në rajon është të zgjerojë mjetet financiare që janë tashmë në dispozicion të Kosovës, në mënyrë që të fuqizojë ekonominë e saj duke mobilizuar më shumë investime private nga tregjet globale të kapitalit.
"Sa i përket qëllimeve tona të zhvillimit rajonal - ato përqendrohen në luftimin e ikjes së trurit, duke u ofruar të rinjve mundësi bindëse ekonomike për të qëndruar dhe për të qenë të suksesshëm në rajon," deklaroi Jovanovic, duke shtuar se DFC gjithashtu fokusohet në krijimin e kushteve më të qëndrueshme rajonale në aspektin e energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ekonomik rajonal, i cili do të rezultojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të rajonit.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se Oda Amerikane ka mirëpritur marrëveshjen për normalizim ekonomik të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se ajo do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik të Kosovës dhe Serbisë, por edhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar shkëmbimin ekonomik, ofruar mundësi të reja të financimit dhe shfrytëzimit më të mirë të resurseve të përbashkëta natyrore. Ai theksoi rëndësinë e hapjes së mundësive të reja të financimit nga Korporata Financiare Zhvillimore dhe Banka EXIM për zhvillimin e infrastrukturës transportuese, por edhe lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrëset gra.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se ekziston një angazhim konkret i sektorit privat si nga ana e Kosovës ashtu edhe nga ana e Serbisë lidhur me këtë marrëveshje, ndërsa potencoi se këtë do të donin ta shihnin si një momentum të mirë për të avancuar bashkëpunimin ekonomik rajonal.