Arbëri

Imeraj: Ngadalë drejt Republikës së Manastirit të Deçanit

Pas publikimit të marrëveshjes se 9 nëntorit 2020 rreth rrugës Deçan-Plavë nga KOHA ka reaguar kreu i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj.

“Siç po shihet ngadalë e drejt Republikës se Manastirit të Deçanit. Të lumtë kryeministër Avdullah Hoti, se marrëveshje të dobishme paskeni negociuar për rrugën Deçan-Plavë dhe qytetarët e Deçanit me rrethinë. Kryeministër, kapitullimi i juaj para Manastirit të Deçanit paska qenë i tmerrshëm. Dorëheqja e juaj është dashtë të ndodhë më 9 nëntor 2020”, ka thënë Imeraj, bën të ditur Lidhja e Historianëve përmes një komunikate për media.

Marrëveshja me Manastirin e Deçanit, rruga do të shfrytëzohet vetëm për trafik lokal

Imeraj ka shtuar se Manastiri i Deçanit është drejt krijimit të territorit autonom.

“Dita ditës, koha po tregon se Manastiri i Deçanit do të ketë territor të veçantë (ex-zonë) dhe shpejtë do të ndalon qarkullimin nga rruga ekzistuese në afërsi të manastirit dhe më pas qarkullimi do të realizohet vetëm nga rruga e Gushavcit dhe nga devijimi në grykën e Lloqanit. Pra, ngadalë Manastiri i Deçanit do të jetë autonom me territor dhe ndaj institucioneve shtetërore të Republikës se Kosovës”, ka thënë Imeraj.

Tutje ai ka kërkuar nga Komuna e Deçanit që të tërhiqet nga çdo pëlqim për të shmangur rrugën e Manastirit.

“Komuna e Deçanit duhet të tërhiqet nga çdo pëlqim apo pajtueshmëri që të përdorë rrugë alternative përgjatë rrugës që lidh Deçanin me bjeshkët dhe Plavën, përveç rrugës ekzistuese që kalon kah Manastiri i Deçanit, rrugë kjo e cila e ndërtuar me shekuj”, ka thënë Imeraj.