Arbëri

​Hapet fushata “T’i japim vendit ngjyra”, Majlinda Kelmendi shpallet ambasadore e kësaj nisme

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, kanë lansuar sot fushatën “T’i japim vendit ngjyra”, fushatë kjo e cila parasheh që brenda 10 vitesh në të gjithë Kosovën të mbillen 1.8 milionë drunj.

Në lansimin e fushatës, krahas drejtuesve të lartë të KOK-ut dhe ‘Ta pastrojmë Kosovën’ morën pjesë edhe figura të larta të sportit, politikës dhe artit.

Më këtë rast, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se kjo është njëra nga fushatat më të mëdha në vendin tonë e cila ka për qëllim mbjelljen e 1.8 milionë drunjve në të gjithë territorin e Kosovës në bashkëpunim me të gjithë individët, grupet dhe organizatat e shumta.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit rural, Besian Mustafa, e cilësoi si shumë të rëndësishme dhe të nevojshme këtë nismë duke ofruar edhe mbështetjen e ministrisë që ai drejton për këtë fushatë.

“Sipërfaqet pyjore dhe drunjtë tanë përbëjnë një pasuri kombëtare për vendin tonë, prandaj mirëmbajtja, pyllëzimi dhe ri-pyllëzimi i këtyre sipërfaqeve përbëjnë një përgjegjësi dhe obligim të veçantë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por natyrisht edhe për të gjithë shoqërinë tonë. Prandaj edhe iniciativa e sotme që parasheh mbjelljen e 1.8 milionë fidanëve simbolikisht duke përfaqësuar 1.8 milionë banorët e vendit tonë në 10 vitet e ardhshme, është komplementare me programin kombëtarë te vendin tonë prandaj duke iu përgëzuar për iniciativën e qëlluar, duke iu uruar suksese në këtë sfidë, në këto 10 vitet e ardhshme, më lejoni që të shpreh zotimin tim dhe te ministrisë për bashkëpunim, bashkërendim dhe përkrahje të ndërsjellë”, tha Mustafa.

Edhe zëvendësministri i Kulturës Engelbert Zefaj, tha se kjo nismë nga KOK-u dhe organizata “Ta pastrojmë Kosovën” është për t’u admiruar si një iniciativë shumë e guximshme, e qëlluar dhe vizionare.

“Dua t’iu përgëzoj për këtë iniciativë, iniciativë shumë e guximshme, e qëlluar dhe vizionare. Ambienti është sfida më e madhe që e ka kapluar jo vetëm Kosovën por të gjithë botën dhe është shumë kënaqësi e madhe kur shohim në Kosovë djem, vajza të reja të cilët i dalim ballë këtyre sfidave”, theksoi Zefaj.

Nismën për mbjelljen e 1.8 milionë drunjve në të gjithë territorin e Kosovës e vlerësoi lart edhe Koordinatorja e programi për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zonja Ulrika Richardson, e cila tha së drunjtë simbolizojnë jetën e njeriut, ndërsa pyjet simbolizojnë mënyrën se si ne duhet të zhvillohemi si shoqëri

Në fund, kampionia Olimpike e Kosovë në xhudo, e cila njëherësh u shpall edhe si ambasadore e kësaj fushate deklaroi se Kosova, e sidomos kryeqyteti i saj ka shumë nevojë për gjelbërim dhe ajër të pastër.

“Kënaqësi të jem pjesë e këtij projekti. Ne të gjithë e dimë se Kosova e sidomos kryeqyteti ynë është i mbingarkuar dhe ajo çka më së shumti ka nevojë Kosova janë hapësirat me gjelbërim, hapësira ku të gjithë ne mundemi me dal, me marr ajër të pastë, me kalu kohë me familjen”, tha Majlinda Kelmendi.

Kjo fushatë u shpall zyrtarisht e hapur me mbjelljen e 18 drunjve në Prishtinë./ksp