Arbëri

Hoti zmbrapset nga negociatat për Asociacionin

Qeveria Hoti kishte planifikuar t’i vërë bazat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para dy muajve. Por ishte zmbrapsur pas denoncimit publik të ish-presidentit Thaçi. Ndryshe prej deklarimeve publike, kryeministri Hoti ishte pajtuar që Asociacioni të negociohej me palën serbe në Bruksel. Burime të KOHËS brenda Qeverisë kanë thënë se negociatat ishte caktuar të fillonin në shtator. Për këtë punë Hoti kishte caktuar edhe një ekip me zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të jashtëm. Atyre do t’u printe koordinatori i Qeverisë për dialogun, Skënder Hyseni. Por dy ditë para nisjes Hyseni e kishte shtyrë takimin për kohë të pacaktuar.

“Negociatat është dashur të fillojnë në muajin shtator. Përveç kryenegociatorit ka qenë në plan të udhëtojnë edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë dhe ekspertë të jashtëm. Por ndërkohë zyra e kryenegociatorit e ka shtyrë takimin në kohë të pacaktuar. Prej atëherë s’ka pasur veprime institucionale nga ana e Qeveris rreth kësaj çështjeje”, ka thënë burimi.