Arbëri

Haradinaj e Cakaj kërkojnë që të ndalet fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm iShqipërisë, Gent Cakaj, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që të ndalet fshirja e qëllimshme e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.

Sipas tyre," fshirja e adresave të shqiptarëve është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës".

“Kjo praktikë shtetërore e zbatuar në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe të qëllimshme përbën edhe një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Prandaj, ndërsa ne e dënojmë fuqimisht këtë praktikë institucionale, u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndërpresin menjëherë punën sistematike për pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Kjo praktikë shtetërore nuk dëmton vetëm të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por është edhe një shpërfillje e plotë të standardeve demokratike në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Ata poashtu u kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, në radhë të parë Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionerit të Lartë të OSBE për Minoritetet Kombëtare, për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi. që siç thonë ata është me pasoja afatgjate ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë mbesin të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, duhet theksuar se përpara së gjithash, kjo nënkupton njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë standardeve demokratike”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.