Arbëri

Administrata Biden pritet të jetë më proaktive karshi Kosovës, thonë njohësit e çeshtjeve politike

Foto: AP

Fitorja e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së po konsiderohet si lajm i mirë për Kosovën. Njohësit e çeshtjeve politike dhe të sigurisë vlerësojnë se Administata Biden do të jetë më proaktive karshi Kosovës.

Biden është projektuar fitues i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së më 3 nëntor.

“Është lajm i mirë fitorja e Joe Bidenit në zgjedhjet në SHBA, në kuptimin që pritet që të ketë një qasje pak më proaktive karshi Kosovës, duke marrë parasysh edhe marrëdhënien e Bidenit me Kosovën. Mirëpo, kjo nuk duhet të na fusë në zonën e komfortit, që edhe shteti i Kosovës, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan të mos lobojnë mëtutje për t’i përforcuar këto marrëdhënie. Sepse nuk mund të merret e garantuar edhe qasja e Joe Bidenit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, për KosovaPressin.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, pret që presidenti i ri i SHBA-së të vazhdojë përkrahjen për Kosovën.

“Bidenin e kemi të shpirtit, e kemi krahë të fortë. Ai ka qenë gjithherë mik i shqiptarëve. Dihen deklaratat e tij edhe në kohën e bombardimeve. Ai ka mbetur konsekuent në çështjen e Kosovës dhe neve na bënë të mburremi që ai u zgjodh. Presim që ai të jetë një përkrahës edhe në procedurat e ardhshme që na presin, qoftë në bisedimet me Serbinë, të integrimeve dhe normal çka është shumë me rëndësi, edhe integrimit në NATO, që është një pjesë shumë e veçantë për Kosovën, pasi që realisht po jetojmë në një ambient jo shumë të volitshëm të rreziqeve dhe kërcënimeve jo veç nga Serbia, por edhe të Rusisë në rajon”, thotë Ibishi.

E Violeta Haxholli nga KDI vlerëson se administrata Trump ka qenë mjaft aktive në procesin final të dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo thotë për KosovaPress se është herët për të ditur se cila do të jetë qasja e administratës së re amerikane, si ndaj dialogut, ashtu edhe ndaj marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova vazhdon që të kërkojë mbështetjen amerikane në procesin e dialogut dhe në përpjekjet e saj për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë. Këtë e ka kërkuar qysh kur ka filluar procesi i dialogut në vitin 2011, fatmirësisht pra, ka pasur një dinamikë dhe përfshirje më aktive të ShBA-vë gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar. Ka një marrëveshje të cilën palët e kanë nënshkruar me presidentin Trump, dhe tani pritet të shihet se cila do të jetë qasja e administratës ndaj kësaj marrëveshje, si do të vazhdojë zbatimi i kësaj marrëveshjeje e kështu me radhë”, thotë ajo.

E rëndësishme sipas saj, është se një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë nevojë për vëmendjen amerikane në mënyrë që të funksionojë dhe të finalizohet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

“E rëndësishme është se një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë patjetër do të ketë nevojë për vëmendjen amerikane në mënyrë që të funksionojë dhe të finalizohet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe që do të garantojë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi por edhe avancimin e Kosovës drejt njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata siç është OKB-ja, ku edhe ShBA ka një rol shumë të rëndësishëm”, thekson ajo.