Mbyllja totale eventuale po konsiderohet e rrezikshme për humbjen e vendeve të punës dhe që mund të çojë drejt falimentimit të bizneseve, duke e dërguar në këtë mënyrë vendin drejt kolapsit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nëse vihen në zbatim masat e mbylljes totale rrezikohet stabiliteti financiar i vendit në aspektin buxhetor.
“Mbyllja eventuale është me rrezik shumë të madh, sepse deri tani kemi pasur rrezik për vendet e punës, po ashtu edhe për mbylljen e bizneseve ndërsa tash futemi në atë fazën edhe të rrezikimit të stabilitetit financiar të vendit si në aspektin buxhetor dhe financiar dhe kjo e bënë të pashmangshëm ndonjë kolaps”, ka thënë Rukiqi.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomie Amerikane të Kosovës (OEK) Arian Zeka, theksoi se karantinimi i Prishtinës do të kthente vendin në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik, duke shtuar se rrezikon falimentimin një pjesë e madhe e kompanive.
“Mbyllja eventuale do të na kthente në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik ose zvogëlim i aktivitetit të përgjithshëm që rrezikon një pjesë të madhe të kompanive drejt falimentimit përfundimtar dhe natyrisht zvogëlimi i aktivitetit ekonomik do të qojë në rënien e të hyrave të përgjithshme edhe buxhetore të vendit, duke e zvogëluar aftësinë e mëtejme të shtetit që të merret me pandeminë edhe në aspektin e kujdesit shëndetësor por edhe në aspektin e përkrahjes së bizneseve”, thotë Zeka.
Zeka tha diaspora mund të ketë një rol të rëndësishëm në fazën e rimëkëmbjes ekonomike. Sipas tij, nëse aplikohen masat kufizues, kolapsin mund ta shohim në ditët në vijim.
“Diaspora ka vazhduar që në aspektin e dërgesave së remitencave të kryejë funksionin e saj dhe remitencat kanë vazhduar të jenë në nivel dhe kanë shënuar ngritje. Ata kanë përdorur institucione ose mekanizma formal të dërgimit të parave nga shtetet ku jetojnë te familjarët e tyre në Kosovë. Diaspora mund të ketë një rol në fazën e rimëkëmbjes ekonomike. Nëse aplikojmë masa të reja kufizuese qoftë për dy javë një pjesë e madhe e ndërmarrjeve, të cilat gjatë këtyre muajve të fundit kanë bërë më të mirën që të ruajnë vendet e punës, do të vijnë në atë pozitë kur do të vendosin që të mbyllin aktivitetet e tyre dhe vendet e punës dhe kolapsin mund ta shohim në ditët në vijim nëse aplikohen masat kufizuese”.
Për dhjetë muaj sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), dërgesat e mërgimtarëve ishin dukshëm më shumë se gjysmë miliardë euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të viti 2019, u dërguan 91 milionë euro më tepër apo rreth 13 për qind më shumë. Remitancat për periudhën janar-tetor të vitit 2019 ishin në vlerën e 705.6 milionë euro.