Arbëri

Meliza Haradinaj – Stublla shtyn vizitën në Serbi “për një kohë tjetër”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shtyrë vizitën e paralajmëruar në Serbi për një kohë tjetër, është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

“Meqë institucionet e Kosovës të angazhuara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, tanimë kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë dhe do të jenë aty gjatë javës së ardhshme, edhe vizita e paralajmëruar e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, shtyhet për një kohë tjetër”, thuhet në komunikatën e MPJD-së, transmeton KOHA.

Ky konfirmim vjen me rastin e përgjigjes së MPJD-së për kërkesën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ta vizituar Kosovën.

Vuçiqi bën kërkesë për vizitë në Kosovë, pritet të refuzohet

Këtë kërkesë të tij MPJD-ja e ka cilësuar si ofenduese dhe provokuese.

“Kërkesa e Vuçiqit, Vulinit, Gjuriqit e Petkoviqit për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim”, thuhet në komunikatë.