2 perditesime
23:37

Haxhiu: Nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje nga Komisionet hetimore

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se nuk ka vullnet nga Komisionet hetimore për të gjetur zgjidhje në çështje të caktuara.

Kjo sipas saj edhe për faktin se këto komisione kanë përbërje partiake.

“E para që duhet të kemi parasysh është që përbërja e këtyre Komisioneve hetimore është politike dhe rezultati normalisht që do të ketë nuanca politike. Nuk mund të presim një rezultat shumë produktiv. Secila çështje e prek një parti ose tjetër”, ka thënë ajo.

Sipas saj Komisioni për pandeminë ka evoluar më shumë.

“Çfarë është arritë me u punuar në këto tri komisione kryesisht ai për hetimin e çështjes së pandemisë ka evoluar më shumë sepse edhe ka filluar më herët. Gati janë në përfundim të intervistave të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në çështjen për të cilën po hetohet. E më pas do të bëhet një raport dhe nëse merr miratim nga Kuvendi gjithsesi mund të jetë një përmbajtje të cilën mund ta shqyrtojë Prokuroria nëse ka elemente për të cilat mund të shqyrtohet”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa në dy Komisionet e tjera, sipas saj, aktualisht janë në fazat e para të punës.

“Kanë filluar intervistat por që janë ende në fazat e para ndonëse komisioni për privatizim është më i vonshmi dhe ka ende kohë, pasi ka deri në gjashtë muaj kohë”, është shprehur Haxhiu.

23:19

Haxhiu e cilëson joproduktiv Kuvendin e Kosovës

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka cilësuar joproduktive punën e Kuvendit të Kosovës muajve të fundit.

Ajo ka thënë se nga një hapësirë ku do të duhej të kishte diskutime përmbatësore për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve për qytetarët, Kuvendi është shndërruar në hapësirë që promovon sjellje e gjuhë që thellon polarizimin shoqëror.

Haxhiu ka kritikuar Kuvendin edhe për çështjen e mungesës së kuorumit. Sipas saj, si pasojë e mungesës së kuorumit shumë projektligje kanë mbetur pa marrë miratimin.

23:17

Haxhiu: Tensionet mes LDK-së dhe LVV-së kanë filluar që nga rrëzimi i qeverisë Kurti e po vazhdojnë

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) në Interaktiv të KTV-së derisa ka folur për përplasjet e sotme në seancën e Kuvendit ku u diskutua mbi çështjen e të pagjeturve, tha se këto dhe të tjera janë vërejtur prej sa kohësh mes deputetëve.

Sipas saj, përplasje janë vërejtur sidomos mes deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe VV-së, që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti e deri tek votimi i asaj të Hotit.

“E para, çështja e të pagjeturve është një prej pikave më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për qytetarët në Kosovë, pas luftës. Ajo çfarë pamë është përgjigja më e mirë e asaj se pse për këto 20 vite nuk ka pasur një trajtim të duhur dhe zgjidhje për këtë çështje, se po ka mungesë konsensusi politik dhe mungesë të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik për këtë çështje. Tjetra, është e kuptueshme që për dikë kjo temë mund të jetë më e ndjeshme se për të tjerët, sepse është personale. Në secilën legjislaturë ka pasur deputetë të cilët kanë qenë personalisht të prekur nga lufta dhe reagimi emocional është i kuptueshëm. Mirëpo, tensionet në Kuvend gjatë këtij viti janë vërejtur bajagi shumë, sidomos mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së, që kanë fillu me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe pastaj janë ngritë kur është votu qeveria Hoti dhe duket që prodhuan rezultatet e para sot”, tha ajo.

Sipas saj, përdorimi i gjuhës degraduese në Kuvend është cënim i vlerave të demokracisë.