Arbëri

Në barnatore private një vaksinë e gripit sezonal kushton 17 euro

Milaim Krasniqi për pesë vjet radhazi është imunizuar me vaksinën e gripit sezonal. Krasniqi (68 vjeç) nga fshati Shkabaj i Komunës së Prishtinës vazhdimisht interesohet nëse Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është pajisur me vaksinën e gripit sezonal. Është shprehur mjaft i shqetësuar për shëndetin e tij, meqë thotë se vaksinimet e mëhershme i kanë ndikuar për të mirë në shëndet. “Po vij shpesh për t’u interesuar për vaksinën. Për vite radhazi jam vaksinuar dhe me të vërtetë më ka ndihmuar që sa më lehtë e shëndetshëm ta kaloj stinën e dimrit. Edhe sot më thanë që nuk ka ardhur vaksina dhe më erdhi keq për këtë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Vonesën për financim me vaksinën sezonale e sheh të pafalshme kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Sami Uka. Sipas tij, mungesa e vaksinës katërvalente e gripit sezonal po shkakton probleme jo vetëm me ngatërrimin e pasqyrës klinike të COVID-19 me të gripit sezonal, por po ka pasoja shëndetësore tek njerëzit e sidomos tek më të moshuarit.

“Vlera e vaksinës ulet deri në dhjetor pasi një numër i madh i njerëzve i kalojnë viruset, dikush me pak e dikush me më shumë simptoma. Të paktën tash është dashur jetë gati, sidomos për ne mjekët që jemi të ekspozuar në vazhdimësi”, ka shtuar Uka.

Uka ka treguar se shumë qytetarë janë ankuar se në barnatore private po kushton shtrenjtë blerja e kësaj vaksine. KOHA është interesuar se sa kushton në një barnatore private kjo vaksinë, dhe çmimi i saj doli të jetë 17 euro.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Kuvendin e Kosovës, ku është diskutuar për pandeminë COVID-19, ka bërë të ditur se brenda disa ditësh do të mbërrijnë në Kosovë, 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Do të sigurohen edhe 55 mijë e 500 vaksina shtesë të së njëjtës cilësi. Vaksinat, sipas njoftimit zyrtar nga UNICEF, do të arrijnë në Kosovë brenda ditësh dhe do të shpërndahen brenda muajit nëntor”, ka deklaruar Zemaj.

Dy tenderë radhazi kanë dështuar për furnizim me rreth 300 mijë vaksina të gripit sezonal. Nga Zyra e UNICEF-it bëhet e ditur se tani vaksinat kanë kaluar të gjitha kontrollet e sigurimit të cilësisë, përmbushjen e standardeve të OBSH-së dhe po bëhen gati të transportohen përmes vijës ajrore në Vjenë, e më pas do të transportohen për në Prishtinë.