4 perditesime
23:35

Reshitaj: Haradinaj është kandidati më i përshtatshëm për president

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj ka thënë se Ramush Haradinaj është kandidati më i përshtatshëm për president të Kosovës.

Ajo tutje ka shtuar se për shkak të situatës së rënduar në planin ndërkombëtar vendi po futet në disa filtra gjykues që për Haradinajn janë të njohura.

“Tri herë ai ka marrë një rrugë që tash e kanë marrë bashkëluftëtarët e tij dhe ka dalë i pafajshëm. Duke e njohur situatën konsideron se mund ta jap kontributin e tij duke simbolizuar që Kosova ka UÇK-në si pjesë të dinjitetshme të saj”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se dorëheqja e tij nga pozita e kryeministrit, është vepër dinjitoze për atë periudhë.

Reshitaj tutje ka shtuar se do të ishte gabim i turpshëm nëse ai do të ftohej në një gjykatë të tillë.

“Këto padrejtësi duhet të analizohen nga të gjithë dhe të trajtohet situata e të mos bëhen gabime si në të kaluarën”, ka thënë ajo.

23:23

Reshitaj: Konsiderojmë që në këtë situatë të ndalet procesi i dialogut

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në këtë situatë të krijuar do të duhej të konsiderohej që të ndalet dialogu me Serbinë.

“I gjithë spektri politik në këtë moment duhet të fokusohet në një unitet politik. Në momentin që në Kosovë kanë filluar të ngrihen aktakuzat si dhe bastisjet, qasja dmth jodinjitoze e marrjes së njerëzve më kompetentë të UÇK-së ka krijuar një revoltë të tillë që normalisht lideri Haradinaj e ka konsideruar se për një moment është e nevojshme që të pezullohet dialogu Kosovë-Serbi”, ka thënë Reshitaj. “Këtë ne edhe si Aleancë pas mbledhjes urgjente që kemi pasur me Këshillin drejtues të partisë e kemi deklaruar që është e një rëndësie të veçantë që të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi në këtë situatë”.

Ajo ka thënë se bashkë me kryeministrin Hoti do të diskutohet që merret më pas një vendim i përbashkët.

“Kryeministri Hoti ka qasjen dhe mendimin e tij në lidhje me këtë situatë, prandaj që normalisht që në takimet dhe në bashkëpunim me pjesën e qeverisë të cilën edhe ne udhëheqim do të arrihet një marrëveshje, një vendim i përbashkët”, ka deklaruar Reshitaj.

23:17

Reshitaj: Nuk arsyetohet mungesa e vullnetit politik për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj ka thënë nuk është për t’u krenuar ajo çfarë ka ndodhur në leximin e parë të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Ajo ka thënë se është dashur gjashtë herë të dështojë, për të kaluar të shtatën herë, duke pasur parasysh rëndësinë imediate të veprimit.

Sipas saj, situata me leximin e dytë e projektligjit lë shumë për të dëshiruar.

“Më vjen shumë keq për të gjithë ata deputet që nuk arrijnë ta kalojnë interesin partiak e individual e të veprojnë sa më shpejtë që është e mundur, përtej arsyetimeve të tyre për mangësitë. Ne e kemi pasur edhe ligjin për pandeminë. Nuk them që kemi bërë një ligj maksimalisht të mirë por optimalisht të implementueshëm”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se duke e pasur Ligjin për Pandeminë është arritur të menaxhohet pandemia në një mënyrë më të mirë sesa kur nuk ka qenë.

Ajo ka thënë se nuk është arsye shtyrja e ligjit vetëm pse ka mangësi.

23:15

Reshitaj: Duhet të mendojmë të fuqizojmë sistemin shëndetësor

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se duhet të mendohet për fuqizimin e sistemit shëndetësor.

“Nuk është e vështirë ajo të bëhet (punësim i stafit të ri shëndetësor) sepse në këtë periudhë ka edhe shumë vullnetarë që i janë afruar shëndetësisë për të përkrahur dhe për të ndihmuar”, ka thënë Reshitaj. “Ne kemi mjaft studentë të shkëlqyer të viteve të pesta dhe të gjashta që mund të ndihmojnë. Unë mendoj se mobilizimi i personelit shëndetësor është tejet i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, nuk është diçka e pamundur prandaj po them se në këtë fazë në vend se të mendojmë për mbyllje totale do të duhej të mendonim pikërisht për trajtim të dinjitetshëm por edhe shfrytëzim të të gjitha kapaciteteve profesionale shëndetësore që kemi në vend por edhe të kërkojmë nëse ka nevojë edhe ekspertizë të jashtme”.

Ajo ka shtuar se gjatë pandemisë mund të shfrytëzohen edhe kapacitetet e spitaleve private.

“Ne mund të shfrytëzojmë edhe spitalet private në raste nevoje, prandaj duhet krijohet një plan strategjik ku mund të shfrytëzojmë edhe spitalet private. Është gjendje e jashtëzakonshme dhe i gjithë sistemi shëndetësor në Kosovë, qoftë publik apo privat, duhet të futet në funksion”, thotë ajo.

23:09

Reshitaj: Si AAK kemi kërkuar rishqyrtim të masave të reja për menaxhimin e pandemisë

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj ka thënë se partia e saj ka kërkuar shqyrtimin e masave të reja për menaxhimin e pandemisë.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se mbyllja totale e vendit nuk është zgjidhje, duke shtuar se mund të gjenden alternativa tjera.

“Ditë më parë jemi informuar se është duke u shqyrtuar mbyllja totale e vendit si menaxhim i pandemisë. Ne si AAK pas analizave që kemi bërë kemi ardhur në përfundim që së bashku me pjesën e qeverisjes që e kemi brenda koalicionit qeveritar të kundërshtojmë një mbyllje totale të vendit në këtë fazë pasi konsiderojmë se ka edhe alternativa tjera në menaxhim të pandemisë para mbylljes totale që do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe të shëndetit publik qytetar”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se kanë kërkuar një rishqyrtim të masave nga pjesa tjetër e qeverisë.

“Sot është mbajtur një takim informues në mes të Hotit, zëvendëskryeministrit Tahiri, ministrit të Shëndetësisë dhe disa odave ekonomike me ç ‘rast është marrë një vendim i përbashkët që të shkojnë me masa edhe më strikte por edhe jo mbyllje totale të vendit”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka thënë se përmes mediave janë njoftuar për draftin për masat e reja, por edhe nga ministrat në qeveri.

Ajo ka thënë se duke marrë parasysh situatën aktuale, kanë kundërshtuar një mbyllje të shtetit.