Arbëri

Deri në gjashtë muaj mund të vonohet fillimi i shqyrtimit gjyqësor për krerët e UÇK-së

Deri në gjashtë muaj mund të vonohet fillimi i shqyrtimit gjyqësor për krerët e UÇK-së
 

Proces i gjatë gjyqësor i pret katër drejtuesit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Hagë. Përderisa ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, kanë bërë paraqitjet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, hapja e shqyrtimit gjyqësor do të mund të marrë rreth 6 muaj. Thaçi deri në ditën kur iu konfirmua aktakuza dhe u dërgua në Hagë ushtroi funksionin e presidentit të Kosovës, ndërsa Krasniqi pas përfundimit të mandatit si kryetar i Kuvendit kishte disa vite që nuk ushtronte funksione publike.

Seanca e mbajtur të hënën nuk ishte seancë e shqyrtimit gjyqësor, por më shumë teknike, ashtu siç e kërkon norma ligjore ku bazohet puna e Gjykatës Speciale. Para se të nisë gjykimi i mirëfilltë, mbahen seancat statusore me gjyqtarin e procedurës paraprake, bëhen kundërshtime, vendoset për to, e më pas lënda i kalon një trupi gjykues që do të merret me gjykimin e rastit. Por edhe trupi gjykues sërish mban seanca statusore, ku paraqiten provat ose kundërshtimet. Kjo procedurë nënkupton se deri atëherë duhet të kalojnë disa muaj.